Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës, kanë krijuar vështirësi në zonat malore edhe në Malësinë e Madhe. Kelmendi, Shkreli dhe Gruemira, janë përzgjedhur të ndihmohen me pako ushqimore, duke përzgjedhur familjet më në nevojë.
Ka qenë një kerkesë e kryebashkiakut Tonin Marina, e cila ka vënë në lëvizje Rezervat e Shtetit, të cilat ditën e sotme, kanë sjellë në Malësi të Madhe 205 pake ushqimore përmes Agjensisë Kombëtare të Emergjencave Civile.
Lajmi është bërë i ditur përmes një publikimi në faqen zyrtare të Bashkisë Malësi e Madhe, ku janë publikuar edhe foto nga procesi i shpërndarjes së pakove ushqimore.
“Me kërkesën e kryebashkiakut Tonin Marinaj, Agjensia Kombëtare e Emergjencave Civile ka sjellë 205 pako ushqimore për familjet në gjendje të dobët ekonomike në Njësinë Administrative Kelmend, Shkrel dhe Gruemirë.
Të pranishëm në dorëzimin e pakove ushqimore ishin Kryetari i Bashkisë Tonin Marinaj dhe Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni të cilët deklaruan se do të vijnë edhe pako të tjera në ndihmë të familjeve me vështirësi ekonomike”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Malësi e Madhe.
Temperaturat e ulëta pritet të vijojnë dhe mbështetja e familjeve më në nevojë me pako ushqimore por edhe materiale të nevojës së parë, është domosdoshmëri, në shumë raste edhe për shkak të vështirësive në lëvizje të njerëzve, mjeteve dhe mallrave drejt zonave të thella malore. /ShkodraWeb/