Tashmë është e sigurt. Saga e shkarkimit ose jo të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës, i nisur në maj të vitit të kaluar nuk do të dojë më shumë se 30 ditë. Kufirin kohor e thotë Kushtetuta dhe e konfirmoi edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, sot teksa mbylli seancën e gjatë të shqyrtimit të vendimit të 104 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë më 9 qershor 2021.
Seanca e nisur të martën e 1 shkurtit, e ndërprerë 2 herë, dhe e përfunduar sot u karakterizua nga një debat mes palëve, nga argumente dhe kundër-argumente, me akuza të ndërsjellta dhe pyetje shumë domethënëse të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë kërkon që kurrë më të mos ketë një Presidenti Republike si Ilir Meta, ndaj përfaqësuesja e tij në seancën e sotme kërkon që Kushtetuta të vendose ‘vijat e kuqe’, të përcaktojë standardet se si duhet të sillet në të ardhmen ‘uniteti i kombit’, presidenti mbi palët, simbol i paanshmërisë dhe mbrojtësi i Kushtetutës. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, Klotilda Bushka’ është provuar faji i Presidentit ndaj anëtarët e Kushtetueses duhet të tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Teksa numëron të gjitha nenet që sipas saj Meta ka shkelur, Bushka thotë se Kuvendi nuk ka luftë me Metën por është i detyruar të mbrojë Kushtetutën.
“E vërteta është se kjo sjellje diskrediton figurën e zyrtarit të lartë. Presidenca nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. E mbyll duke riktheksuar se ky duhet të jetë proces për vendosje standardi. Që jep goditje kushtetuese ligjore për mosndëshkimi e zyrtarëve publik. Meta të shkarkohet se ka shkelur rëndë kushtetutën. Pasi në të ardhmen mos ketë të tillë precedent”, nënvizon ajo.
Ndërkohë që për Presidencën ‘thembra e Akilit’ në të gjithë kërkesën e Kuvendit për të shkarkuar Metën është procedura. Teksa e akuzoi Kuvendin se ka falsifikuar dokumentet dhe për këtë do ta çojë në Prokurori, këshilltari ligjor i Ilir Metës, Bledar Dervishaj thotë se Kushtetuesja nuk duhet të pranojë kurrsesi ngritjen e Komisionit Hetimor i cili sipas tij është bërë duke mos respektuar afatet dhe për pasojë as kërkesën e Kuvendit për shkarkim të Presidentit.
Dervishaj, i cili refuzoi t’i lexonte përgjigjet e 72 pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese duke thënë se janë dhënë me shkrim, duke shkaktuar kështu edhe reagimin e kryetares së Gjykatës Vitore Tusha, ripërsëriti edhe një herë qëndrimin konstant të Presidencës se Ilir Meta ka vepruar për të mbrojtur demokracinë, pluralizmin, demokracinë të cilat sipas tij janë cënuar rëndë në legjislaturën e kaluar në Kuvend, i cili sipas tij e ka ngritur të gjithë çështjen e shkarkimi në një nen që nuk është më në Kushtetutën e shqiptarëve, atë ‘për agjetacion dhe propagandë’.
“Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor. Deklarimin si të papajtueshëm miratimin e raportit të Komisionit Hetimor. Të mos pranohet shkarkimi dhe të zgjidhet konflikti kushtetues parlament-president. Kjo çështje s’duhet të ekzistonte”, ka përfunduar përfaqësuesi i Metës në Gjykatën Kushtetuese, Bledar Dervishaj.
Tanimë gjithçka është në dorën e 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej.
Kush janë gjyqtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese që kanë në dorë fatin e Metës: Vitore Tusha, Kryetare! Anëtarët: Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.
Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.
Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste shkarkimin, Ilir Meta do të bëhej kështu Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Më 9 qershor 2021 Kuvendi miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor Parlamentar. Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë dhe vetëm 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.
Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që u ngrit për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkoi shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.