Vllaznisë iu mohua një gol i rregullt, sipas gjasave edhe tre pikë shumë të vlefshme për arritjen e objektivave sezonalë. Nëse kishim dyshime deri më sot, Blendi Dibra, sekretar i KF Vllaznia sh.a., ka publikuar një rast të ngjashëm, identik e madje me “prejke dore” në zonën e rreptësisë para pasimit tek lojtari që shënon gol. Video në mund të këtij shkrimi, mund të sqarojë edhe më skeptikët e mundshëm.
“Ndeshja e luajtur ditën e premte, datë 4 shkurt 2022, ndërmjet Middlesbrough dhe Manchester United 1-1, lojtari i Middlesbrough, Matt Crooks shënon pas asistit të shokut tij të skuadrës i cili e prek dukshëm topin me dorë, ku dora nuk ndodhet në pozicion natyral dhe e hapur! Goli jo vetëm konsiderohet i rregullt po edhe VAR nuk e vë në diskutim rregullsinë e këtij goli!“, shkruan Dibra.
Po ashtu, ai sqaron edhe pozicionin zyrtar të organizmave ndërkombëtarë të futbollit. “Në aspektin e rregullit të aplikuar, Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) (lexoni postimin origjinal në Twitter 7 Qershor 2021) duke fillu nga sezoni 2021-22, ka ndryshu rregullin duke përcaktu se: “Prekja aksidentale e topit me dore nga nje shok i skuadres perpara shenimit te golit dhe prekja aksidentale me dore duke krijuar nje mundesi shenimi NUK quhet faul””, shkruan sekretari i klubit kuqeblu.
Arbitri Eldorian Hamiti është stemë e FIFA- s. Ka vetëm dy mundësi që ai të marrë një vendim dukshëm në dëm të Vllaznisë (dhe nuk është hera e parë, kujtoni ndeshjen me Egnatian): Ose është i paazhornuar me ndryshimet e rregulloreve të futbollit, ose e ka bërë me qëllim për të dëmtuar Vllazninë! Rasti i parë është pak i besueshëm, përsa kohë mban në gjoks stemën e arbitrit të FIFA-s dhe më e mundshmja, është ta ketë bërë me qëllim për të dëmtuar ekipin shkodran.
KF Vllaznia sh.a., duhet të ndjekë të gjitha rrugët e mundshme, edhe përtej FSHF- së, deri në UEFA e FIFA për të ndëshkuar sa më rëndë të jetë e mundur këtë arbitër. Jo vetëm kaq. Zyrtarisht, Hamiti duhet të shpallet i padëshirueshëm të arbitrojë ndeshjet e Vllaznisë, përsa kohë ka më shumë se një rast që dëmton Vllazninë. Me humbjen e djeshme, kuqeblutë kanë dalë thuajse zyrtarisht nga rruga për fitimin e titullit kampion në Superligë.
Është një dëm i jashtëzakonshëm financiar fillimisht për sponsorët, Bashkinë Shkodër por edhe shkodranët që kanë hedhur nga paratë e tyre për këtë sezon tek Vllaznia. Nga ana tjetër, është favorizim ndaj një ekipi, rival direkt i kuqebluve, duke aluduar ose për marrje parashë apo edhe frikë nga kërcënimet, kur dihet se fusha e Laçit është mjaft e njohur për të tilla fenomene. Ndoshta tre pikët nuk mund të kthehen, por arbitri Hamiti duhet bërë shembull.
KF Vllaznia sh.a. e ka detyrim në respekt të vetes por më shumë në respekt të tifozëve anëkënd botës. Detyrim edhe për shkak të emrit, logos, historisë dhe kontributit mbi 100 vjeçar në futboillin shqiptar. Nuk është koha të presim as mëshirë e as tolerime, sepse nuk i kemi preferuar kurrë. Duhet të marrim vetëm atë që na takon dhe që ekipi jep në fushën e lojës, edhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve shkodranë. /Nga Blerti DELIJA/