Majlinda Angoni ka dhënë dorëheqjen nga psoti i Prefektes së Qarkut Shkodër. Lajmin e ka dhënë vetë ajo, përmes një publikimi të gjatë në faqen zyrtare në Facebook.
Dorëheqja vjen pas zyrtarizimit të kandidimit me 6 mars 2022 për postin e kryetares së Bashkisë Shkodër përballë Bardh Spahisë së “Shtëpia e Lirisë” dhe Xhemal Bushatit i PD- së zyrtare.
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I MAJLINDA ANGONIT
Pas një periudhe intensive në drejtimin e Prefekturës të Qarkut Shkodër, i kam përcjellur sot kryeministrit Rama dorëheqjen time nga ky funksion publik për t’i hapur rrugë kandidaturës time për kryebashkiake të Bashkisë Shkodër në zgjedhjet vendore të 6 Marsit 2022.
Mbajtja e detyrës së prefektit të Qarkut të Shkodrës ka qënë për mua nder, privilegj dhe përgjegjësi. Jam ndjerë vërtet e nderuar të ushtroj këtë funksion publik në vendlindjen time, për t’i shërbyer e për t’iu përgjigjur nevojave të çdo qytetari i kudo ndodhur në gjithë territorin e qarkut.
Ndonëse në një periudhë të ngjeshur, edhe pse intensive kam vënë në dispozicion të gjithë potencialin tim me gjithë forcat e mia për të qënë në lartësinë e detyrës.
Menaxhimi i mirë i emergjencave stinore, krizës së përmbytjes dhe situatës së zjarreve që prekën territorin e qarkut, lobimi për hapjen e rrugës së Thethit që pas 30 vitesh e bën këtë destinacion të aksesueshëm për turistët dimëror, si dhe sigurimi i asistencës teknike dhe mbështetjes financiare nga donatorë vendas e të huaj për të mbështetur logjistikën tonë të emergjencave civile janë disa nga kompetencat e Prefektit që i kam përmbushur me sukses.
Mirënjohës çdo punonjësi të këtij institucioni që nuk ka kursyer në asnjë moment devotshmërinë dhe përgjegjësinë që i ka dhënë detyra. Sot nis një kapitull të ri në jetën time profesionale dhe publike duke marrë një tjetër përgjegjësi të madhe siç është sfida, për kandidimin në bashkinë e Shkodrës për të përmbushur më shumë sfidat që kanë banorët e Bashkisë Shkodër.
Mirënjohje dhe falenderim për mbështetjen e pakushtëzuar tuajën!