Rreth orës 21.00 në fshatin Obot të Anës së Malit, zjarri ka përfshirë një banesë private. Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, dyshohet se shkak ka qenë energjia elektrike por këtë mund ta vertetojë ekspertiza.
Shtëpia e djegur plotësisht, ku banonin dy persona, është në pronësi të shtetasit Loro Kol Gocaj, rreth 68 vjeç dhe bashkëshortes Liza rreth 65 vjeçe. Fatmirësisht, personat kanë shpëtuar ndërsa zjarrëfikëset kanë neutralizuar përhapjen e mundshme të flakëve që favorizoheshin nga era e fortë.
Në kushtet e motit të ftohtë dhe temperaturave të ulëta të këtyre ditëve, kjo familje përballet me probleme të shumta që fillojnë nga strehimi dhe mundësitë e jetesës.
Është e nevojshme që të gjithë ata që kanë mundësi, të sensibilizohen dhe të japin ndihmë për këtë familje të kalojë një moment vështirësie që i goditi papritur dhe në një kohë aspak të përshtatshme.
Përveç qeverisjes vendore, kanë mundësi të ndihmojnë biznesmenë të ndryshëm, shoqata por edhe individë për të lehtësuar jetën e dy personave që kanë nevojë për ndihmë e mbështetje.
Më poshtë, video e dërguar në redaksinë e ShkodraWeb. /ShkodraWeb/