Një natë më parë, në Obot të Anës së Malit të Bashkisë Shkodër, flakët kanë shkrumbuar një banesë. Gjithçka në pronësi të një çifti të moshuarisht, është kthyer në pluhur. E gjithë pasuria e akumuluar në vite me mund e sakrifica, është përpirë nga zjarri.
Loro Kol Gocaj 68 vjeç dhe bashkësortja Liza rreth 65 vjeçe, nga mbrëmë janë në qiell të hapur. Shtëpia e tyre është bërë krejtësisht e pabanueshme, ndërsa flakët kanë djegur çdo gjë që ndodhej brenda 4 mureve.
Fatmirësisht, Loroja dhe Liza kanë shpëtuar pa probleme nga zjarri që dyshohet se ka patur si shkak një shkëndijë elektrike. Por hallet kanë nisur disa orë pas ngjarjes së rëndë. Jemi në mes të dimrit, me temperatura të ulëta ku jeta është e vështirë për këdo, jo kur nuk ke një çati mbi kokë.
Pushteti vendor mund të japë kontributin e vet, përmes vendimmrarjes së Këshillit Bashkiak Shkodër. Në rastet e ngjashme, akordohet një fond por që nuk ka asnjë mundësi të rikthejë në normalitet jetën e dy të moshuarve.
Por të gjithë bashkë, mund të bëjmë shumë, mund të rikthejmë çatinë mbi kokë, njëkohësisht edhe qetësinë dhe ngrohtësinë që ofron një banesë normale. Kjo thirrje për ndihmë është së pari për bizneset, shoqatat e ndryshme por edhe individët që kanë mundësi të kontribuojnë.
Nuk është e thënë që një biznesmen, shoqatë apo individ të marrë përsipër çdo gjë. Çdokush kontribuon sipas mundësive, qoftë edhe me një orendi apo pajisjes elektroshtëpiake. Të gjithë bashkë, pa u sfrocuar shumë, mund të rikthejmë buzëqeshjen në jetën e Loros dhe Lizës.
Mos i ndodhtë askujt, por të gjithë ne do të vlerësonim shumë nëse do të kishte ndjeshmëri, solidaritet në raste të ngjashme. Të mendojmë dhe të veprojmë si për vete. Loro dhe Liza i kanë sytë nga ne, shpresojnë dhe besojnë në ndihmën tonë. Të mos kursehemi! /ShkodraWeb/