Ditën e sotme u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Përpara fillimit të punimeve të kësaj Asambleje, u mbajt një minutë heshtje në nderim të figurës së madhe të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Ramazan Rragami, që u nda nga jeta pak kohë më parë.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Bardhyl Jera, i pranishëm në këto punime uroi të gjithë anëtarët për punën e kryer në këto vite dhe siguroi të gjithë se mbështetja e FSHF-së do të jetë maksimale për të zhvilluar gjithmonë e më shumë futbollin në rajonin e Shkodrës.
Më tej, punimet vazhduan sipas rendit të ditës, ku si pikë kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ku ishin dy propozime, Kujtim Shaba dhe Lazer Matija. Matija u zgjodh kryetari i ri i SHRF Shkodër duke pasuar Armando Cungun. Në raundin e parë Matija mori 14 vota përballë 9 votave për Shaba, ndërkohë që në raundin e dytë Matija mori 15 vota dhe Kujtim Shaba 8 vota.
Në fjalën e tij, Matija falenderoi anëtarët e SHRF Shkodër për mbështetjen dhe zgjedhjen si kryetar i kësaj shoqate dhe u zotua se do të bëj maksimumin për të zhvilluar më tej futbollin në rajonin sportiv Shkodër.
“Edhe kundërshtari im e pranoi rezultatin dhe mendoj se kjo është fitorja më e madhe: pranimi i rezultatit nga të gjitha palët”, përfundoi Matija. Ndërkohë, para mediave kandidati Kujtim Shaba ka shprehur rezerva për procesin e zhvilluar, duke lënë të hapur mundësinë e ankimimit në gjykatë të vendimit, pasi të konsultohej me juristët e tij.
Vlen të theksohet se zgjedhjet e shoqatave rajonale të futbollit, të cilat përveç kryetarëve zgjedhin edhe delegatët për Asamblenë e FSHF- së, janë karakterizuar nga polemika të shumta. Edhe në Shkodër kështu ka ndodhur, ndërsa janë zgjedhur 3 delegatë që kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjen e presidentit të FSHF- së ku deri tani, duket se do të jetë një garë në mes Armand Dukës dhe Drina Shakohoxhës.
Në zgjedhjet e FSHF- së ka ndërhyrë haptas edhe politika, madje edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj që ka paralajmëruar se me 2 mars nuk do të ketë zgjedhje. Për këtë arsye, zhvilloi një vizitë në Tiranë edhe shefi i UEFA- s Ceferin, i cili kërkoi që politika të mos ndërhynte tek futbolli.