Ish- kryeministri Sali Berisha ka prezantuar zyrtarisht Bardh Spahinë si kandidat i “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë e Shkodrës. Tubimi është zhvilluar në shesh të hapur, para Bashkisë së Shkodrës, ku entuziazmi ishte i dukshëm.
Fillimisht, kanë folur para të pranishmëve nënkryetarët e degës së PD Shkodër Irena Shestani Shala dhe Ndoc Ashta, për ti lënë më pas radhën në foltore deputetit Belind Këlliçi.
“Një përshëndetje për kryetaren aktuale Voltana Ademi nuk lejoi që Bashkia të binte ne duart e paligjshmërisë dhe për këtë meriton mirënjohjen e të gjithë shkodranëve. Bardhit i uroj suksese dhe e di që do marrësh rezultat historik në këto zgjedhje. Këto zgjedhje kanë një rëndësi të madhe politike , ku nuk po luhet fati i bashkisë Shkodër, por po luhet fati i pluralizmit.
Është e rëndësishme që çdo votë opozitare dhe të zhgënjyerve nga PS të shkojë për një djalë dhe një mjek që mishëron vlerat e këtij qyteti, Bardh Spahisë. Sot kam një mesazh për të rinjtë, ngrihuni në nivelin prindërve tuaj, ata e rrëzuan diktuarën sot është detyra jonë të ngrihemi dhe të rikthejmë pluralizmin në vend”, tha Këlliçi.
Në vijim, ka folur kandidati Bardh Spahia, i cili nuk ka lënë pa sulmuar edhe ish- kryetarin apo deputetin Basha siç e konsideron Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD- së.
Ai ka hedhur akuza të forta ndaj Lulzim Bashës duke thënë se ai nuk përfaqëson demokratët, por shet vlerat dhe kontributet e tyre për qëllime personale dhe për t’u pasuruar.
Spahia tha se PD nuk i përket humbësve kronikë, ndërsa u kërkoi votën demokratëve për të treguar se PD u përket atyre dhe jo Lulzim Bashës që mban zyrat me forcë.
“Jam këtu sot sepse shumë njerëz më kanë besuar dhe jam këtu pas një manifestimi demokratik të votës së lirë nga anëtarësia e PD. Askush nuk mund të na ndalë për të pasur një shtëpi dinjitoze, një parti fitues që nuk bën pazare me sakrificën e demokratëve. Vlerat tona më të mira i nxjerrin në pazar ata që dinë vetëm të humbasin dhe nuk njohin kontributin dhe vlerat e demokratëve. Ky është modeli më i keq, jam në këtë garë për ta zhbërë tërësisht këtë model. PD nuk është e atyre që mbajnë zyrat dhe refuzojnë të shohin realitetin por e demokratëve si ne këtu që nuk pranojnë modelin e imponimit. Me votën tuaj më 6 mars keni shansin për të treguar se PD nuk u përket atyre që e shohin PD si mënyrë për t’u pasuruar”, tha mes të tjerave Spahia.
Me mjaft entuziazëm është pritur edhe fjala e ish- kryeministrit Berisha, i cili ka vlerësuar kandidaturën e Bardh Spahisë për Bashkinë e Shkodrës, teksa më herët shprehu falenderime për kryetaren Voltana Ademi, e cila sipas ish- kryeministrit nuk lejoi që Shkodra të binte në 2019- ën siç ndodhi me bashkitë e tjera të djathta. Berisha ka patur mesazhe publike edhe për dy kandidatët e tjerë për Shkodrën. Duke iu drejtuar me “shoqja Angoni”, Berisha ka thënë se “nuk i takonte të kandidonte as si Juban e as si Angon për Ramën”. Ndërsa kandidatit të PD- së zyrtare, Berisha i ka sugjeruar të tërhiqet nga gara duke i thënë “Xhemal mos u bëj shoku Xhemal”.
Në vazhdim Berisha ka zhvilluar një takim me shtabin elektoral të kandidatit Bardh Spahia e më pas, ka patur një takim me një senator italian në një nga lokalet e Shkodrës.