Pas vendimit të Gjykatës për të pezulluar garën e FSHF-së në të gjithë vendin, kjo e fundit, pavarësisht vendimit, sërish ka vendosur që zgjedhjet të bëhen me datë 2 mars 2022.
“Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur sot në ora 11:00 për të shqyrtuar materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02 mars 2022.
Pasi u njoh me propozimet e bëra nga Sekretariati i FSHF-së për materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2022, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi të miratojë materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2022.
KE ka aprovuar pasqyrat financiare individuale dhe të konsoliduara për vitin 2021, dhe buxhetin e vitit 2022, të cilat do t’i propozohen Asamblesë së Përgjithshme për miratim. Komiteti Ekzekutiv ka shqyrtuar propozimet përkatëse për përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm, të cilat do t’i propozohen Asamblesë së Përgjithshme.
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.”, thuhet në njoftimin e FSHF- së
Ky vendim nga FSHF është publikuar disa minuta pas vendimit të marrë nga Gjykata.
Ky vendim i FSHF-së bie ndesh me vendimin e marrë nga Gjykata e Tiranës, ku u vendos që Federata e Futbollit nuk mund të zhvillojë dot zgjedhjet pa u shqyrtuar ankesat e bëra, duke pezulluar në këtë mënyrë Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për mbajtjen e zgjedhjeve të 2 marsit.
Gjykata vendosi:
1.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;
2.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;
3.Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022.