Partizani dhe Vllaznia diskutojnë mes tyre në javën e 21 të kampionatit. Sfida merr jetë nesër në 16:45 në “Air Albania”, me duelin që është komentuar edhe nga kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta. Për mbrojtësin që ka dalë para medieve, kreu që mban Tirana është larg me 13 pikë, teksa për të, dy ndeshjet direkte me bardheblutë janë të fituara. Gurishta ka edhe një “sms” për Herald Markun.
“Partizani – Është një superndeshje. Ka dhënë gjithmonë emocione dhe spektakël. Më shumë se këto, nesër jemi të uritur për tri pikë. Ky është objektivi nesër. Ecuria në përballjet direkte ka qenë mirë për ne, nuk na kanë mposhtur as sezonin e shkuar. Ata vijnë nga një ecuri e mirë, por mos harrojmë se edhe ne kemi bërë mirë.
Do jetë një ndeshje me shumë ekuilibra, diferencën do e bëjnë detajet. Besoj se nesër tifozët do jenë të shumtë në Tiranë. Stadiumi “Air Albania” ka qenë një ogur i mirë për ne, ashtu besoj do jetë edhe nesër.
Partizani ka objektivat e veta, janë pesë pikë pas nesh. Shpresojmë që nesër me maksimumin të shohim për lart, kemi mundësi për tre vendet e para.
Erald Marku – Nuk kam asnjë mesazh për të, më vjen keq se në ndeshjet e fundit s’ka qenë në formacionin stabël të Partizanit. Është një lojtar dhe çun fantastik, shoku im më i mirë. Suksese i uroj, por pas ndeshjes nesër.
Kemi pasur oshilacione, një ekip për kampion është e pafalshme që të bëjë disa fitore dhe barazime radhazi. Unë kam besim te grupi. Një ekip për kampion duhet të jetë cinik, gjë që nuk e kemi treguar. Na ka munguar edhe fati në disa barazime.
Aspekti personal – Deri sot çdo lojtar ka ulje-ngritje, jam i kënaqur. E mira s’ka fund, rëndësi ka ekipi. Objektivat e klubit janë ato që vlejnë.
13 pikë me kreun – Janë shumë, të themi realitetin. Nëse bëjmë disa fitore, kemi edhe dy ndeshje direkte me Tiranën, distanca do shkurtohet. Në mendjen time them se jemi -7, ato dy ndeshjet me ta i cilësoj të fituara”, tha Gurishta.