Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimin për njërin nga kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Mësohet se bëhet fjalë për kandidatin e PD në Rrogozhinë.
Raportohet se javën e ardhshme Saraçit do t’i merren shenjat e gishtave për të bërë verifikimet e duhura lidhur me dyshimet për të shkuarën e Saraçit jashtë vendit.
Kandidati i Partisë Demokratike për drejtimin e Bashkisë së Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi, është dënuar në Itali në 18 janar të vitit 1999, me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë, për veprën penale të mbajtjes së armës pa leje në banesë.
Referuar formularit të dekriminalizimit, kandidati i PD-së ka ndryshuar edhe emrin nga Fredi në Ferdinand. Ai thotë se ka qëndruar Itali për biznes dhe punë gjatë periudhës 1996-2001.
Verifikimi i tij erdhi pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi ne formularin e dekriminalizimit Saraçi ka deklaruar dënimin me burg dhe gjobë në Itali për armëmbajtje pa leje. Pritet që sektori i dekriminalizimit t’i dërgoj INTERPOL Romës letërporosi për Saraçin për informacion. /Shqiptarja.com/