Sot nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnjë. Subjektet zgjedhore të regjistruara dhe kandidatët e tyre, kanë detyrimin për të bërë fushatë duke respektuar Kodin Zgjedhor, si edhe çdo normë tjetër ligjore, e cila përcakton dhe garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme.
Me këtë rast ju përcjell partive politike dhe kandidatëve pjesëmarrës në këtë garë, thirrjen për ta zhvilluar këtë fushatë zgjedhore në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor. Zhvillimi i një gare zgjedhore duke respektuar principet e një gare të lirë, të drejtë dhe të ndershme lidhet drejtëpërsëdrejti me standardin e këtij procesi zgjedhor.
Gjej rastin për të ftuar votuesit/zgjedhësit, qytetarët të 6 njësive të qeverisjes vendore që tq marrin pjesë masivisht në këtë process. I ftoj ata që të verifikojnë vlefshmërinë dokumenteve të identifikimit pasi kanë verifikuar më së pari nëse emir i tyre gjendet në listën e zgjedhësve.
Mungesa e një dokumenti identifikimi të vlefshëm nuk do t’ju mundësojë atyre të ushtrojnë të drejtën e votës në datën 6 Mars 2022. Edhe pse mandati i kryetarëve të bashkive që do të dalin nga këto zgjedhje është më pak se një vit, vlen që ju të ushtroni të drejtën tuaj të votës. /Mesazh për mediat i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan CELIBASHI/