Kryeministri Edi Rama konfirmoi ditën e sotme vdekjen e një shtetasi shqiptar, pjesëtar i ushtrisë ukrainase gjatë sulmit rus.
Gjatë një konference për mediat, ai deklaroi se shqiptari në fjalë, jetonte prej kohësh në Ukrainë, ku ishte i martuar ose bashkëjetonte me një ukrainase.
Kreu i qeverisë nuk e specifikoi emrin e shqiptarit, por një mbrëmje më parë, mediat raportuan se shtetasi që humbi jetën ishte Emanuel Bazanji 24 vjeç me origjinë nga Elbasani.
Por në ndryshim nga një mbrëmje më parë, është raportuar një informacion se shtetasi në fjalë është gjallë. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu pretendon se ka biseduar me Emanuel Bazanjin me anë të mesazheve në Whatsapp.
“Mirë jam. Gjallë…. “, është përgjigja e tij.
Në këto mesazhe, thuhet se çfarë ka ndodhur në raportin ushtarak ku Bazanji shërben si pjesë e legjionit Gjeorgjian.
“U bombarduam sot me aviacion dhe helikopter“, shkruan Emanueli, i cili thekson se ndodhet në një situatë të rrezikshme.
Sipas mesazheve të publikuara, thuhet se shqiptarit i duhet ta fikë telefonin pasi sistemi GPS i telefonit ‘smart’, mund të shërbejë për rusët në identifikimin e vendndodhjes.