Me 12 mars 1997, në orën 20.30, nji urdhën i dalë nga skutat e errëta të antishtetit, larg prej Labiatisë, e përfshiu qytetin e Shkodrës fillimisht, më pas të gjithë krahinën, artificialisht, pa asnjë shkak e arsye, në kaosin e krijuar tjetërkund në Shqipni.
Brenda pak orëve, pa pasun asnji sulm nga jashtë dhe as nga mbrenda, shteti në Shkodër ra, të gjitha institucionet, me përjashtim të bashkisë dhe universitetit, u rrëzuan totalisht, ndërsa përgjegjësit shtetërorë lëshuan detyrat dhe pozicionet e ngarkueme prej ligjit dhe kushtetutës.
Vendi u vendos nën kontrollin e flakëve dhe krismave të nji anmiku që nuk dukej e nuk shfaqej askund; jeta e qytetarëve u kërcënue seriozisht nga bandat e ngrituna rishtazi, ndërkohë që vala e dyte e mërgimit të shkodranëve që shpresuan për të mirat e lirisë, filloi të marrë rrugën e vet. Shkodranët iknin pa kthim nga vendi, por fajtorët e cënimit të sigurisë publike, gradualisht, javë pas jave, pa prit dhe pa kujtu, filluen të lajnë duart, të rishfaqen në skenë, me shpresën naive, se ne me të vertetë kujtojmë që ata janë shpëtimtarët tonë.
Shkodra paqësore dhe normale u përfshi në mënyrën mà të papritun në nji krizë dhe turbulencë që nuk kishte të bante aspak me qytetarët e saj dhe u detyrua të përjetonte ndoshta momentet mà të vështira të historisë së saj.
Mbi të gjitha qytetarët e Shkodrës, të parët që u hodhën në barrikadat e lirisë kundër diktaturës, panë me sytë e tyre dhe përjetuan, tradhtimin e idealit demokratik dhe patriotik, shkatërrimin e pamerituem të atyne të mirave materiale dhe morale të rikthyeme pas 1991, të cilat jepnin nji lloj shprese për të ardhmen.
Asnjeni nga pushtuesit e huej që kaluen në këtë truall, nuk e lanë këtë qytet dinjitoz mà të pambrojtun, sesa “shteti rrëmujë” shqiptar i viteve 1997, 1998.
Pasojat e kësaj goditjeje të pameritueme, asnjiherë nuk u rekuperuan, mbasi toka e djegun e lanun mbrapa nga kaosi i nxitun me qëllim, ikja e banorëve të rrethuem nga dhuna dhe përmbysja e hierarkisë së komandës në komunitetin vendor, përkundër rregullave që i rithemeluem me aq mundim gjatë viteve 1991 dhe 1992, shkatërroi arsyen, përgjegjësinë qeverisëse e udhëheqëse përgjithnjë.
Ajo çfarë erdhi mbrapa në ndjesinë e të mbijetuemve dhe të pamundunve të mbetun në rrethimin e varfnisë, ishte bindja, se për me ba hajr në këtë vend, tash e mbrapa, duhej veç përulje, bindje, shërbim i verbër, ngritje flamujsh dhe brohoritje për ma të mëdhenjt, të huej për ne, që dijnë gjithçka.
Kushdo bani ndryshe, u vendos nën shenjestrën e atyne që kishin monopolin e të vertetës, të patriotizmit, të demokracisë, social- demokracisë, liridashjes dhe pësuan yryshin e skuadrave të servitorëve.
Edhe pse më pas jane ba përpjekje për rekuperim të kodeve drejtuese mbi traditën dhe mbi burime njerëzore udhëheqëse të bazueme mbi hierarkinë intelektuale, filli i përcaktuem në start nuk u kap kurrë.
Madje sot, pas 25 viteve nga ajo kohë e çmendun, liria vazhdon me kenë lehtësisht e cënueme, e dhunueme me metoda mjeshtrash, ndërsa presioni i nëndheshëm i pushteteve dhe pushtetarëve, kamuflon dhe inskenon demokraci të brendshme qytetare, entuziazëm popullor rrenc, llogorizim të detyruem, si askund tjetër në Shqipni.
Ka ardhe një ditë që në Shkodër, liria jonë trumbetohet, ndërkohë që ajo nuk ekziston.
Kemi ardhe në nji vit të atillë kur nji populli që s’ka pasë nevojë kurrë me ia mësue rrugën e vet askush, sot i’ a shënojnë me çdo lloj shkumësi, i’ a përcaktojnë me çdo lloj fjalimesh boshe, i’ a kufizojnë me çdo lloj mënyrash shtërnguese dhe ai nuk bzan, duke u vendos në rreshtin e urdhnuem.
E trishtë të them, por edhe pas 25 viteve, po notojmë të përgjumun në teatrin shqiptar të demokracisë së kontrollueme nga të Mëdhenjtë, pa e ditun ku àsht bregu i përtejmë i shpresës dhe po nuk u ndalem me mendue nji herë mirë për projektin tonë udhëheqës, zhvillimor, emancipues, vetëqeverisës, mbi kodet tona shekullore, mund të vendosemi edhe ma tutje, spontanisht, padrejtësisht, në rolin e nji lodre të destinueme për t’ u sakrifikue nga meskiniteti i politikës së ndërtueme për arsye jo publike, krejt larg nesh, përtej bashkësisë së rregullave që na jena mesue me u qeverisë, drejtue dhe bashkëjetue. /Publikuar në Facebook nga Romeo GURAKUQI, ish- deputet i Shkodrës, përgatitur për publikim nga ShkodraWeb/