Ndërsa fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për Bashkinë Shkodër, po shkon drejt fundit, Bardh Spahia kandidat për kryetar i “Shtëpia e Lirisë”, ka marrë një tjetër mbështetje publike të rëndësishme.
Grupimi “Dhjetor ’90”, ata që bashkë me Azem Hajdarin iniciuan Lëvizjen e Dhjetorit që i parapriu pluralizimit politik në vend dhe krijimit të Partisë Demokratike, kanë ardhur në Shkodër për ta takuar e bashkëbiseduar me Spahinë.
Në një publikm në faqen e tij zyrtare në Facebook, vetë Spahia shkruan: “Mbështetja e Grupimit “Dhjetor ‘90” për “Shtëpinë e Lirisë” dhe mua si kandidat për Bashkinë Shkodër është një vlerë e shtuar në rrugëtimin tonë drejt 6 marsit. Ashtu si në vitin 1990, është misioni ynë të rikthejmë vlerat e lirisë dhe demokracisë!”.
Grupimi “Dhjetor ’90” është rreshtuar që në krye të herës në krah të lëvizjes së iniciuar nga Berisha në PD, ndërsa nuk kanë kursyer kritikat për kryetarin e asj që quhet PD- ja zyrtare, Lulzim Basha.
Mes të tjerave, ky grupim ka denoncuar edhe largimin e zyrës së tyre nga selia qendrore e PD- së, duke akuzuar për këtë veprim drejtpërdrejt Lulzim Bashën.