Asambleja e FSHF ka caktuar një datë të re për zgjedhjen e presidentit të FSHF-së dhe Komitetit Ekzekutiv. Meqënëse në fuqi mbetet ende një vendim gjykate që pezullon zhvillimin e Asamblesë, është preferuar që të mos rrezikohet shfuqizimi i çdo vendimi të marrë sot.
Kështu, zv.presidenti Edvin Libohova, i cili drejtoi Asamblenë, i kërkoi anëtarëve që të caktohej një datë tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve për president dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv.
“Kësaj Asambleje i ka paraprirë dy vendime gjykate për pezullimin e Asamblesë. Ankimuesit janë tërhequr nga e drejta e padisë dhe ato kanë humbur thelbin e tyre. Njëri është shfuqizuar dhe është një tjetër që mund të bëjë pengesë. Në respekt të vendimit të gjykatës në fjalë, ju ftojmë të biem dakord që të shtyjmë zgjedhjet me datën 15 mars në orën 10. Nëse jeni dakord në parim të votojmë”, tha Libohova.
Asambleja më pas votoi “pro” për ndryshimin e datës të Zgjedhjeve.
Ndërsa zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit u shtynë për në datën 15 mars, Armand Duka vijon “betejën” e tij me gjykatat. Pak ditë më parë, gjykata pezulloi Dukën nga mandati i tij si president i FSHF-ës teksa mbi të rëndojnë akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Të premten, Duka do të paraqitet në gjykatën e Tiranës ku do ti komunikohet masa e pezullimit nga detyra. Duka do të paraqitet në Gjykatë në orën 10:00.