Rreth 6000 banorë të Bashkisë së Shkodrës rrezikojnë të mos ushtrojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Kushtet atmosferike, ngricat, dobëra dhe temperaturat e ulëta, e bëjnë praktikisht të pamundur ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese.
Bëhet fjalë për tre njesitë administrative të Dukagjinit dhe pikërisht Shalë, Shosh dhe Pult, të cilat tashmë janë të izoluara dhe me vështirësi të shumta aksesi fizik në qendrat e votimit.
Në këto kushte, Bashkia e Shkodrës i ka drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve një kerkesë që këta shtetas të mund të votojnë në qendrat e votimit në njësinë administrative Rrethina.
Me shkresën nr. 3288 prot., datë 28.2.2022, nga Bashkia Shkodër parashtrohet se numri i zgjedhësve që dimërojnë në këto zona është jo më shumë se 220 vetë, dhe se në këto zona malore nuk ka asnjë ambjent publik dhe është propozuar që QV-të të vendosen në njësinë administrative Rrethina si njësia më e afërt me këto qendra, duke marrë në konsideratë që banorët e këtyre fshtarave banojnë në dimër kryesisht në këtë njësi administrative. Për sa më sipër, bashkia Shkodër deklaron se është e pamundur që këto QV të bëhen funksionale për zgjedhjet e datës 6 Mars 2022.
Por pavarësisht kësaj, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka rrëzuar kerkesën e Bashkisë Shkodër, si të pabazuar në ligj. KQZ i kërkon Autoritetit Rrugor Shtetëror dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, marrjen e masave për sigurimin e aksesit të rrugëve dhe energjisë elektrike në zonat e qendrave të votimit në njësitë administrative Shosh, Pult dhe Shalë.
Por Bashkia e Shkodrës nuk është tërhequr pas këtij vendimi, duke paralajmëruar ankimim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, për të bërë të mundur që banorët e Shalë, Shosh, Pult të ushtrojnë të drejtën e votës me 6 mars. Qartas duket se në Kodin Zgjedhor ka një vakuum, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhje të parakohëshme, siç është rasti i 6 marsit.
Po sa është numri i zgjedhësve që me shumë mundësi, nuk do të kenë mundësi të votojnë me 6 mars në zonën e Dukagjinit? Sipas statistikave të vitit 2021, për zgjedhjet e 25 prill 2022, në Shalë kishin të drejtë vote 2916 persona në 6 qendra votimi, nga të cilët 801 e ushtruan këtë të drejtë. Në Shosh, në 2 qendra votimi, kishin të drejtë vote 839 shtetas ku 316 votuan. Në Pult, në 4 qendra votimi, ishin të regjistruar 2098 persona, ku votuan 747. /ShkodraWeb/