Kandidati i “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë Shkodër Bardh Spahia, ka zhvilluar një takim me emrat më të njohur të sportit shkodran e qtij shqiptar.
Nga Sabah Bizi, Lazër Matija, Armir Grima të futbollit por edhe të tjerë sportistë elitarë, u bënë pjesë e një bashkëbisedimi të hapur lidhur me atë që do të bëhet për sportin në Bashkinë Shkodër.
“Emocion i fortë të jesh i ulur përkrah legjendave të sportit shkodran e shqiptar. Për dekada të tëra na kanë bërë dhe vazhdojnë të na bëjnë krenarë brenda dhe jashtë vendit. Janë vlerë e padiskutueshme e Shkodrës që pas 6 marsit, do të jetë në fokusin tonë të veçantë.”, shkruan Spahia në faqen e tij në Facebook për takimin, duke e shoqëruar edhe me foto.
Shkodra ka qenë dhe vazhdon të jetë jo vetëm “djepi” i sporteve kryesore shqiptare, por edhe fidanishte e pashterrshme e talenteve dhe emrave të mëdhenj që kanë kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë.