Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit për kryetar bashkie në Shkodër, duke ironizuar opozitën, për të cilën tha se ka mbetur peng i Enver Hoxhës së vdekur.
Në fjalën e tij para mbështetësve shkodranë, Rama deklaroi se qytetarët e Shkodrës duhet të shohin të ardhmen dhe të votojnë kandidaten e PS, Majlinda Andoni. Ne jemi gati tha, kreu i qeverisë që t’i shërbejmë Shkodrës. “Nuk kemi ardhur të luftojmë as me komunizmin as me ata të tjerët që janë bërë kashtë e koqe”, tha kryeministrin.
“O me varenë ose me bravën o s’ka, ti thu këta i ka marrë peng edhe i vdekur Enver Hoxha, se vetëm mallkimi i Enver Hoxhës, të cilin shkodranët e kishin vënë në shënjestër qysh kur ishte gjallë me barsoletat dhe regjimit të tij që këtu në Shkodër mori një nga goditjet e para, se nuk ka asnjë mundësi tjetër.
Të rrish peng i një armiqësie imagjinare me një komunizëm imagjinarë dhe me komuniste imagjinarë dhe të barrikadohesh mes plehrave rrethuar me kazanë që janë ukubet, jo se pjesët e tjera të Shqipërisë janë mirë, por këtu është kulmi, të rrethohesh me kazanë si barrikada dhe të shkosh në drejtimin e atyre e që kanë humbur dhe do humbin sa herë futen në garë me PS dhe me të gjithë bashkësinë e qytetarëve që votojnë për PS, jo vetëm si anëtare dhe si simpatizantë. Kjo është e paimagjinueshme që të ndash veten nga të tjerët dhe të mbetesh peng i të shkuarës.
Shkodra mund të mbetet përsëri peng i së shkuarës në 6 mars, por ne jemi këtu për ti thënë që dora jonë është e shtrirë, për të punuar bashkë. Shikoni Tropojën, për një periudhë të caktuar doli nga rreshti, shkodran është tek pull. Shikoni çfarë transformimesh ka pësuar Tropoja. Që kur erdhi jeta me dy gishta në Tropoja kishte mbetur Bajram Curri me 5 gishta dhe gjithçka ishte degradim. Ja ku është sot Tropoja.
Njëri i thotë Shkodrës zgjidh bishtin e varesë, tjetri i thotë zgjidh këtë që ka dalë nga vrima e bravës time dhe ndaç njëri ndaç tjetri veç për Shkodrën nuk kanë për të bërë asgjë. Po ju them sot këtu, zero. Fitoi njëri do dalë tjetri dhe do thotë unë jam më i fortë. Në Tiranë do dalë, jo këtu. Kacafytja do vazhdojë dhe Shkodra me gisht në gojë.
Ne nuk kemi ardhur këtu të luftojmë as me komunizmin dhe as me …se nuk di ca ti thuash, se po të them nuk kemi ardhur të luftojmë me PD do thonë ja e shihni ky është me bravën. Nuk kemi ardhur të luftojmë as me komunizmin as me ata të tjerët që janë bërë kashtë e koqe. Kemi ardhur ti themi Shkodrës që ne jemi gati të bëjmë më të mirë, ta pastrojmë nga plehrat”, u shpreh Rama.