Në historinë tonë si shtet e si komb, është abuzuar jo pak me termin “historike”. Në hapje të këtyre pak rreshtave, sqarojmë se “historike” përcaktohet që në titull, në këndvështrimin politik të saj.
Dekretimi i papritur i zgjedhjeve të 6 marsit 2022 nga presidenti Meta, shihej si një shans i artë për PS- së për të marrë Bashkinë e Shkodrës, pasi dështoi me 30 qershor 2019 “me këmbët” e veta.
Optimizmi i të majtëve në këtë bashki, lidhej me faktin e përçarjes së rëndësishme me të cilën përballej Partia Demokratike nga 10 shtatori i vitit të kaluar. Veç kësaj, llogaritë bëheshin duke u nisur nga zgjedhjet politike të 25 prill 2021, kur e majta në pushtet, PS+PSD kishte marrë numër të konsiderueshëm mandatesh, 5 nga 11 të mundshëm në qarkun e Shkodrës.
Me përjashtim të një deputeti i cili u pozicionua hapur në krah të kandidatit Bardh Spahia të “Shtëpia e Lirisë”, 10 të tjerët ishin rreshtuar kundër, madje në fushatë krah kandidates socialiste. Me 6 mars, vota e shkodranëve i rrëzoi, pa u mbushur viti nga zgjedhja e tyre. U rrëzuan ata që dolën hapur në krah të dy kandidatëve të tjerë por edhe ata që u përpoqën të punojnë pa u ndjerë shumë. Pa folur për “rrëzime” diplomatike, që erdhën edhe për karshillëk në Shkodër pak ditë para 6 marsit…
Fushata në Bashkinë e Shkodrës, më shumë se administrative, ishte politike. Sali Berisha ia doli të rrëzojë binomin e rëndësishëm të Rama- Basha, rë cilët veç të tjerave, kishin edhe shumicën në komisionet e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet.
Natyrisht, fitorja e Bardh Spahisë së “Shtëpia e Lirisë”, u lehtësua edhe nga qejfmbetjet e brendshme në PS, e cila tashmë prej shumë e shumë vitesh, nuk ka një kryetar legjitim të zgjedhur nga socialistët shkodranë por vetëm koordinatorë të emëruar. PS nuk arriti të motivojë zgjedhësit e vet, as aleatët e tyre nuk ia dolën mjaftueshëm për të përmbysur bastionin e demokratëve.
Nga ana tjetër, “Shtëpia e Lirisië”, e cila kishte “palcën e kurrizit” të Partisë Demokratike në këto 31 vite, duhej të fitonte dy beteja paralele, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë këto tre dekada jo vetëm në Shkodër, por askund në Shqipëri. Duhej mundur në përballjen direkt Partia Socialiste, por edhe të mos lejohej të bënte dëm ajo që quhet sot PD- ja zyrtare. Një luftë në dy fronte, që i dha fitoren Bardh Spahisë dhe “Shtëpisë së Lirisë”.
1920 vota diference me PS- në, me një pjesëmarrje relativisht të ulët, është një rezultat fantastik në kushtet me të cilat u parapri 6 marsi 2022. Në planin politik, duke e shtrirë edhe përtej Shkodrës edhe pse kjo bashki mbetet kryeqendër e vemendjes kombëtare, të paktën moralisht, u tregua se kush është PD- ja e vertetë. Artificat lidhur me pjesëmarrjen e ulët, hamendësimet e deklarimet e çuditshme të lidershipit aktual të PD- së zyrtare, nuk e fshehin dot se shumica e demokratëve, tashmë e vertetuar edhe me votim popullor dhe të certifikuar nga institucionet e specializuara të shtetit si KQZ-ja, është në krah të Sali Berishës dhe lëvizjes së tij.
Mund ta quani apo konsideroni si të dëshironi, “non grata” apo edhe “i plakur” por me 6 mars Berisha, me shumë në shkodër se askund tjetër, tregoi se është më i ri edhe se Lulzim Basha, Edi Rama, të gjithë deputetët e qarkut të Shkodrës. Pas KQZ-së që do të certifikojë zgjedhjet e 6 marsit në Shkodër e në 5 bashkitë e tjera, është koha të flasin edhe gjykatat shqiptare që mbase kanë heshtur në pritje të 6 marsit.
Në gjykatë janë dy dosje për të njëjtën dhe të vetmen Parti Demokratike. Të shyrtohen me kujdes dosjet e depozituara nga PD- ja zyrtare dhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD- së. Të merret në konsideratë edhe prova më e fundit, ajo e 6 marsit që ishte një votim popullor i monitoruar nga një organizëm totalisht jashtë ndikimit të dy rrymave në PD. Zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki, sidomos ato në Shkodër, treguan se e kujt është PD- ja. Ata që mund të jenë të pakënaqur, kanë hapësirë për fraksion ose nëse ndjehen të fuqishëm, mund të krijojnë një parti të re politike. Është koha që PD- ja ti rikthehet demokratëve, atyre që me votën e tyre historike me 6 mars, treguan qartë preferencën e tyre. Ajo është Sali Berisha. Vullnetit të tyre, nuk mund dhe nuk duhet ti kundërvihet askush që është jashtë radhëve të këtij subjekti politik. /Shënim i ShkodraWeb/