Dom Gjergj Meta, ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit, i është bashkuar protestës në Rrugën e Kombit kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Këtë e ka pranuar vetë kreliku i lartë, në një shënim në Facebook, ku shprehet:
“Në fakt po kthehesha nga Tirana me autobusin e linjes Rrëshen – Tiranë. Sot nuk mora makinën, por përdora autobusin për të shkuar në Tiranë për shkak se çmimi i naftës është rritur tej mase.
Në kthim, aty ku fillojnë dy korsitë e Rrugës së Kombit, u ndesha me protestuesit. Bëra pagesën e zbrita nga autobusi, dhe me gjithë qejf u ndala të përshëndes mirditorët e mi fisnikë që po kërkonin thjesht të drejtën e tyre. Protesta e tyre është e ligjshme dhe është po ashtu protesta ime.”, shkruan Dom Gjergj Meta,
Disa minuta në vonë, ai ka shpërndarë në Facebook edhe një postim të gazetarit Sami Curri, i cili u shoqërua nga policia gjatë protestës në Rrugën e Kombit. Në shënimin në profilin e tij në Facebook, gazetari Curri shprehet:
“Miq,
Së pari, mirënjohje për qindra qytetar të Bulqizës dhe Dibrës, që ju përgjigjën thirrjes për protestë në si kundërshtim për rritjen e çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore!
Zemra mal që më në fund, qytetarët po protestojnë përtej partive politike, por për një interes të përbashkët. Kjo çfarë po ndodh me çmimet në Shqipëri është abuzim i rëndë në emër të luftës.
Sot, protesta ishtë masive, qytetarët të revoltuar bllokuan rrugët. Por përtej kësaj, veprimet e Policisë që në fillim të protestës ishin provokative, mbase me qëllim që protestuesit të bllokonin rrugët e për të nisur një valë shoqërimesh pas protestës.
Por një personi që i ka ardhë laku në fyt, bllokimi i rrugëve është hiç asgjë. Duke nisur që nga ata punonjësit e thjeshtë të Policisë, që me zemër ishin në protestë. Rroga e tyre nuk del as për të mbyllur muajin.
Ne po protestonim edhe për ata, për njerëzit e thjeshtë të kësaj zone që nuk mbyllin dot muajin. Për minatorët me paga mizerje. Për arsimtarët, për pensionistët, për këdo. Këto çmime abuzive të naftës dhe ushqimeve prekin këdo në këtë vend dhe duhet të protestojë.
Në përfundim të protestës, me urdhër të drejtuesit që kishte nën mbikqyerje protestën, u shoqërova në Polici. Kjo sjellje ishte e panevojshme sepse kurdo mund të më thirrnin dhe unë do të paraqitesha, si qytetar që isha në protestë, për të dhënë sqarimet e nevojshme që mund të kërkonin. Shoqërimi im ishte jo pa qëllim.
Ju jam mirënjohës kolegëve për mbështetjen dhe raportimin e ngjarjes! Mirënjohje edhe për shumë të tjerë që më kontaktuan, mbase e pa mundur nga ana ime që t’ju përgjigjem gjithsecilit!
Protestat do vazhdojnë, pa ndalim, qoftë edhe tek pullë, derisa qeveria ti vendos “gishtin kokës”.”, shkruan në Facebook gazetari Curri që u shoqërua në polici për pjesëmarrjen në protestë.