Më shumë se 10 persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës pas protestes së mbajtur pasditen e djeshme (enjte) në rrugët e qytetit për rritjen e çmimit të karburanteve. Mes të shoqëruarve është edhe aktivisti i shoqërisë civile Mirsad Basha. Sipas policisë arsyeja e shoqërimit është bllokimi i qarkullimit të mjeteve në akset rrugore të qytetit.
Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të sapo zgjedhur të Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia. Në një publikim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Spahia shprehet:
“Shkodra në shesh kundër abuzimit të qeverisë me çmimin e karburanteve. Respekt dhe mirënjohje ndaj çdo shkodrani që i’u përgjigj thirrjes së shoqërisë civile për të protestuar për të drejtat e tyre.
Shkodra nuk pranon “pushtetin” e dhunës dhe të vjedhjes. Çmimi i naftës dhe produkteve të përditshme janë dëshmi e keqqeverisjes. Dënoj me forcë sjelljen e policisë ndaj protestës paqësore.
I bëj thirrje policisë së shtetit, të lirojë protestuesit, të cilët janë shoqëruar në mënyrë flagrante nga Policia e Shkodrës. Ndalni terrorin ndaj protestuesve të lirë.”.