Trajneri gjerman Thomas Brdariç e ka arritur maksimumin e tij tek Vllaznia. Koka e tij ka ndeshur “në tavan” dhe nuk ka asnjë mundësi të ngjitet më lart. Nuk mund ti mohohet merita e sezonit të kaluar, ku me një ekip me lojtarë thuajse të gjithë të zakonshëm, në rastin më të mirë në nivelin mesatar, ia doli të ndërtojë ekip dhe pas shumë vitesh të sjellë një trofe në Shkodër, duke qenë në garë për titull deri në minutat e fundit.
Me sezonin aktual, ai kishte mundësinë të formatonte një ekip ku nuk mungonin yjet, falë edhe milionave të shpenzuara nga sponsori sot president Alban Xhaferi, në koordinim me Bashkinë e Shkodrës. Po ashtu, nga sezoni i kaluar, trashëgoi shumë lojtarë që jo vetëm “u rritën”, por në pozicionet e tyre konsiderohen pse jo, më të mirët e Superligës. Nuk duhet harruar se trajnerit gjerman, iu bë edhe një rritje rroge në nisje të sezonit, pasi ai bërë presion se nuk do të firmoste.
Në sezonin e dytë, askush nuk e fshihte se Vllaznia kërkonte titullin numër 10, për të vendosur një yll në fanelën kuqeblu. Kjo, që në momentin e formimit të ekipit për këtë sezon. “Return to glory” mesa duket edhe sivjet, në rastin më të mirë do të jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës, duke shpresuar edhe tek mbajtja e trofeut të Kupës së Shqipërisë, edhe pse kalimi i dy ndeshjeve me Partizanin, nuk është aspak i lehtë.
Vllaznia e sivjetme, ka qenë një ekip me hope, një ekip pa vijueshmëri dhe duke shfaqur fytyra të ndryshme edhe brenda të njëjtës ndeshje. Përgjegjësia kryesore është e trajnerit. Ashtu siç u vlerësua maksimalisht në sezonin e kaluar, sivjet Thomas Brdariç shihet si problemi tek klubi kuqeblu. Nuk ia ka dalë akoma të zhvillojë dy ndeshje radhazi që specialistët, qoftë edhe tifozët të kënaqen. Pa llogaritur, abonimin në barazime pa vlerë. Një trajner që në ndeshjet kur ekipi i tij humbet, do të mbahet mend vetëm për mungesën e qetësisë, polemikat me arbitrat, duke ndikuar direkt edhe në qetësinë e përqendrimin e skuadrës së tij në fushë.
Thomas Brdariç tashmë tek Vllaznia mund të konsiderohet “limon i shtrydhur”. Ai nuk ka çfarë të japë e madje, mund të thuhet se ka krijuar edhe familjaritet, i cili i pamundëson ushtrimin si duhet të detyrës. Nuk është e qartë nëse mund të shkarkohet apo do të dorëhiqet nga posti. Por e sigurtë është se më keq se kaq Vllaznia nuk mund të shkojë, gjithmonë në kuadër të objektivit madhor të titullit.
Mbase mund të sigurohet pjesëmarrja në Kupat e Europës, ndoshta mund të mbrohet edhe Kupa e Shqipërisë por për sezonin që vjen, planet e Vllaznisë duhet të bëhen pa Thomas Brdariç. Ai e ka arritur maksimumin e tij, nuk mund të japë më shum për Vllazninë prandaj duhet menduar urgjentisht për një zëvendësues. “Return to glory” apo ylli në fanelën e Vllaznisë, me Brdariç trajner, nuk do të vendoset as sezonin tjetër. /Shënim i ShkodraWeb/