Zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, kanë krijuar një termet në radhët e asaj që mund të cilësohet si PD- ja zyrtare. Pjesa dërrmuese e grupit të deputetëve demokratë, kanë dhënë e po japin dorëheqje nga postet partiake- politike, duke mbajtur vetëm atë që morën pas zgjedhjeve të 25 prill 2021. Të njëjtën gjë, në mbledhje me dyer të mbyllura që rregullisht dekonspirohen por edhe publikisht, po i kërkojnë Lulzim Bashës, të cilin ata vazhdojnë ta njohin si kryetar legjitim të PD- së.
Këto reagime ngjajnë si “kofini pas të vjelit”. Të njëjtët deputetë, me përjashtim të atyre që iu bashkuan “Foltores” së Berishës, e mbrojtën si “një trup i vetëm” Lulzim Bashën. Jo vetëm e mbrojtën atë, por i përmenden Berishës të gjitha “mëkatet”, që sipas tyre, ai paska bërë nga 1990- a e këtej. Sigurisht, sipas një skenari të mirëpërcaktuar nga konsulentët apo Zyra e Mediat në PD- në zyrtare.
Sot, po e lëshojnë të gjithë, edhe më besnikët, edhe më “skifterët” e tij Lulzim Bashën. Ky i fundit, edhe në mbledhjen e fundit të GRupit Parlamentar të PD- së zyrtare, përmendi se “Kolegji i Kryetarëve nuk është dakort me dorëheqjen”, ndërsa jo zyrtarisht, u tha se do të mbledhë edhe Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar para se të marrë një vendim për fatin e tij.
Kur një individ gjykon se ka ardhur koha të japë dorëheqje, nuk ka nevojë as për të testuar mbështetjen e mundshme të strukturave të partisë së tij. Mjaftojnë 2-3 rreshta në kompjuter që mbyllen me togfjalëshin “dorëheqje e parevokueshme” dhe e kuptojnë të gjithë, Kolegji i Kryetarëve, Kryesia e Këshilli Kombëtar.
Çfarë tregon kjo terheqje thuajse në grup e deputetëve të PD- së zyrtare, e atyre që mund të cilësohen “elita” politike e një partie politike? Ata deputetë që mbështetën Bashën që pas 9 shtatorit, nuk patën nuhatje politike. Më saktë, nuhajtjen politike e morën të gatshme nga hunda e Lulzim Bashës. Si vetë ky i fundit, u kthyen në instrument të një diplomateje të një shteti të fuqishëm që shenjestroi liderin historik të PD- së. Ky është gabimi i parë.
Gabimi i dytë lidhet me përceptimin për 11 shjatorin 2021. Rreth 5 mijë demokratë u mblodhën publikisht në “Arena Kombëtare” dhe shkarkuan Lulzim Bashën si kryetar të PD- së. I njëjti vendim, u ratifikua me “një antar, një votë” me 18 dhjetor 2021 nga rreth 44 mijë demokratë. Edhe pas kësaj, ky grup deputetësh vazhdonte stoikisht të mbështeste Lulzim Bashën.
Në të njëjtën ditë, në prani edhe të këtyre deputetëve, në një sallë me 1958 vende, u ulën e votuan “unanimisht” sipas Jemin Gjanës 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha. Përsëri qendrim stoik, grushtbashkuar rreth kryetarit të PD- së. Fjalime patetike, të shpra, me akuza e anatemime nga më të ashprat për Sali Berishën dhe mbështetësit e tij të “Foltores”.
E ndërsa Berisha i binte rreth e qark Shqipërisë, e sallat e “Foltores” së tij mbusheshin plot e përplot me demokratë, këta deputetë vazhdonin akoma me “rrezikun anglo- amerikan për Shqipërinë”. Ajo që kuptohet qartë është se të gjithë këta deputetë, jetonin në një realitet virtual, duke harruar se kishin zënë karriget në parlament për shkak të mbështetjes me votë të demokratëve që mbushnin sallat e takimeve të Berishës.
Vijmë edhe tek 8 janari 2022, kur demokratë brenda selisë apo mercenarë, lëshonin gaz mbi demokratët jashtë saj apo godisnin me shkopinj shpinës e kokës bashkëluftëtarët e qindra kauzave në 30 vjet. E përsëri, asnjë ndjeshmëri ndryshe nga grupi i deputetëve që e kishin rrethuar me imunitetin e tyre Bashën. Madje, u fol edhe për skenarë eleminimi të X apo Y deputeti nga “ata të Foltores”.
Pse reaksioni zinxhir i këtyre deputetëve erdhi pas 6 marsit? A nuk kishin takuar më herët demokratët e bazës për të krijuar një perceptim real të mbështetjes këta deputetë? Ku shpresonin tjetër nëse jo tek mbështetja me votë e demokratëve? U kishte dhënë garanci për fitoren ndonjë seli diplomatike apo ndonjë “partner” jo zyrtarisht publik në politikë?
Të gjithë këta daputetë, në grup kanë gabuar rëndë. Pavarësisht se mandetet e tyre u prodhuan nga vota e demokratëve të thjeshtë anëkend Shqipërisë, deputetët i përdorën kundër tyre, në mbrojtje të një individi recetivist humbës dhe të një kauze diplomatike “non grata” për Sali Berishën, i cili i vetëm, ia doli të mundë edhe logon e PD- së që e tundën fort në fushtën e 6 marsit.
Këta deputetë, të cilët gabuan, me kthesën e fortë 180 gradë të pas 6 marsit, nuk janë më të besueshëm tek demokratët. Ata mund të vazhdojnë të jenë deputetë deri në 2025- ën, por vështirë të perceptohen si përfaqësues të demokratëve që u dhnaë votën me 25 prill 2021. Moralisht, procedurën e dorëheqjes, ata duhet ta vazhojnë edhe përtej posteve politike- partiake. Edhe largimi nga karriget e Kuvendit, nuk do të ishte masë e tepërt. T’ ia lirojnë vendin të tjerëve që janë të pandotur politikisht nga situata në PD prej 9 shtator 2021. Të paktën aty ku listat e mundësojnë dhe mandatet mbeten brenda PD- së.
Nëse vazhdohet me lojën e largimit të menjëhershëm të Bashës dhe Berishës nga PD-ja, atëherë ky është thellim i gabimit në të cilin janë nga shtatori 2021. Rregulli i vetëm i një subjekti politik është respektimi i votës së lirë. Nëse demokratët e duan Berishën kryetar, asnjë mekanizëm në botë nuk mund ta pengojë të kandidojë e të zgjidhet. Pjesa e famshme “grata”, “non grata”, “vijmë në pushtet, nuk vijmë në pushtet”, është vendimmarrje dhe kosto e mundshme që i perket vetëm demokratëve. Jo më deputetëve që kanë humbur legjitimitetin e përfaqësimit të tyre në Kuvend. “Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”. /Nga Blerti DELIJA/