“Këtu nuk ndodhemi prej gabimeve por për shkak të vendimit të 9 shtatorit”, kështu ka deklaruar sot në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve Lulzim Basha. Më në fund e ka kuptuar se vendimi i marrë nga ai personalisht, pa e kaluar në Kryesi, Këshill Kombëtar dhe Grupin Parlamentar, ka krijuar këtë situatë tek PD- ja. Dhe nuk qenka ky gabimi?!
Të fillosh rikuperimin, shërimin nga një sëmundje, fillimisht duhet ta pranosh atë. Mesa duket “pacienti” Basha ka nisur të kthjellohet. Edhe pse nuk ka akoma guxim të artikulojë “dorëheqje”, edhe kaq mund të konsiderohet hap pozitiv i Lulzim Bashës. Edhe pse ky kthjellim erdhi pas humbjes së radhës me 6 mars 2022, sërish duhet vlerësuar duke njohur natyrën e Bashës.
“9 shtatorin nuk e zhbëjnë dot nëse nuk duam të zhbëjnë PD-në”, është deklarimi i radhës i Bashës. E këtu, duket se kthehet sërish në qendrimet e tij të njohura, kokëforta dhe aspak racionale. Sigurisht që në një parti politike, çdo vendim zhbëhet. Madje, Kuvendi Kombëtar i një partie, në këtë rast edhe PD- ja, mund të shkrihet fare. Kjo e sanksionuar në statut. Atëherë si nuk mund të zhbëhet një vendim si ai personal i Lulzim Bashës me 9 shtator 2021?!
Sot, institucionet e asaj që quhet PD- ja zyrtare, janë ilegjitime sipas shumicës së demokratëve që votuan me 11 dhe 18 dhjetor 2021. Në rastin më të mirë për Bashën dhe ata pak ndjekës që i kanë mbetur pas, nuk janë legjitime në vendimmarrje. As Kryesia, as Këshilli Kombëtar dhe as Grupi Parlamentar nuk ka tagër moral të paktën, të marrë vendime. Por sigurisht, ka një trupë plotësisht legjitime që mund të aktivizohet.
Anëtarët e PD- së, ata që janë “aksionarët” 32 vjeçar të kësaj force politike, që e kanë mbajtur në pushtet dhe në opozitë edhe në momentet më të vështira, janë plotësisht legjitimë e sovranë në vendimmarrjen e tyre. Mbetet që Basha ti thërrasë në një referendum të thjeshtë me vetëm një pyetje: Jeni pro apo kundër shpalljes së Berishës “non grata” nga DASH?
Organizimi i këtij referendumi, është shprehja më e lartë e demokracisë në një parti politike, shqiptare apo përendimore. Nga ana tjetër, askush nuk do të mund të kontestonte vendimin e marrë direkt nga “aksionarët” e kësaj partie politike. Nëse Basha dhe enturazhi i tij, arrijnë të bindin demokratët, Berisha do të ishte i larguar përfundimisht nga ambicjet e tij për të ardhur në krye të PD- së. Në të kundërt, Basha duhet të hapë krahun, fillimisht me dorëheqje dhe nëse e sheh veten të aftë, ti vihet përballë Berishës për një garë të mundshme.
Demagogjia, në kushtet aktuale ku është PD- ja, nuk ka më vlerë. Edhe “shqetësimet” e shprehura për të ardhmen e PD- së, më mirë se i shprehin antarët e thjeshtë që nuk kanë asnjë privilegj, nuk mund ti mbrojë as Basha, as Kryesia, as Keshilli Kombëtar dhe as Grupi Parlamentar që gëzojnë privilegje, edhe pse janë në opozitë. Rrugën ku duhet të ecë PD- ja, në kalldrëm, rrugë të asfaltuar apo autostradë, duhet ta përcaktojnë me vullnetin e tyre vetë demokratët. Të gjithë të tjerët, duhet ti binden vendimit të sovranit të PD- së, anëtarëve. /Nga Blerti DELIJA/