U nisa për 10 litra naftë (Vlorë). Diku në 3 litra naftë (Peqin) ndalova për një kafe. Pronari i lokalit m’u ankua se mgjth i kishte rritur çmimet gati 1/3 litër naftë nuk bënte xhiro as 20 litër naftë në ditë. Në 7 litra naftë (Lushnjë) ndalova të haja një litër naftë (byrekë) e të pija gjysëm litri naftë (kos).
Duke u përtypur më kujtoheshin ca kohë të arta kur me aq shpenzim mund të ushqehej gjithë autobuzi me studentë. Kush e di sa litra naftë harxhohet tani që të bëhet gjiza e byrekut! Kanë dhe lopët nazet e tyre, jo e duan Ballshi, jo e duan të importi!
Në 10 litra naftë (Vlorë) kishte paqe, Diell dhe jod. Sikur më iku ajo era e naftës që më përndiqte në çdo hap, në çdo nxjerrje të portofolit. Vetëm një gjë nuk kishte erën e naftës, mishi i qengjit. “Jo a të qifja udht, qengjat e mi aty ku kanë kullotur një muaj më parë kullosin prapë, në bar e jo në naftë, pse ta rris çmimin”, ishte përgjigja me probabilitet 1 litër naftë arabe në pesë mijë litra Ballshi.
Çdo kohë ka simbolin e saj. Pas dy vjetësh me simbolin e maskës anti kovid, tani me sa duket kemi nisur jetesën sipas simbolit dhe erës së naftës. Bëji naftën kësaj pune!
Vetëm se sipas erës që vjen nga lindja, të shpresojmë që era e naftës, të mos zëvendësohet me erën dhe simbolin e grurit se s’do ketë protestë e rezistencë sociale t’i bëjë derman. Historia botërore nuk është shenjuar ndonjëherë nga zija e naftës, por nga zija e bukës. Prandaj pyetja besoj do të ishte: Si i kemi hambarët e grurit? /Nga Edond ARIZAJ, publikuar në Facebook/