Në zonat e thella të malcisë së Shkodrës, me qenë se nuk kishte shtëpia kulture që të zinin shumë spektatorë, trupa jonë improvizonte nji skenë, në nji tendë të madhe mushamaje dhe shfaqjet i bajshim jashtë, në fushë të Zotit!
Në ato shfaqje vinin me “kuç e me maç”, siç i thonë andej kah jugu. Si zakonisht, në radhët e para, krejt afër skenës, rrinin femijët!
…Atë mbasdreke po jepej drama kushtue heroit tonë kombëtar, Bajram Currit, figurën e të cilit e interpretonte njeni ndër aktoret ma në za të brezit të vjetër…nji aktor me talent e personalitet, siç ishte aktori Prenk Lëkunda, dritë pastë.
…Në çastin kur Prenka po mbante nji monolog, i ulun në nji karrige të madhe druni, të gdhendun për bukuri…nji fëmijë nja 8- 9 vjeç i cili kishte ndejë kambëturqisht në barë, të cilin mbase e kishte pickue ndonji insekt…i shpëton nji pordhë!
Jo pordhë e gja por që e ndigjuen edhe aktorët që ishin mbas skene, përveç spektatorëve malcorë, disa prej të cilëve reaguen edhe tuj e qortue mecin e tyne.
Malcori , kur qet “pushkë”, qet pushkë tamam e jo si disa pordhaca shkodranë!
…Si u fashit zhurma, Prenka , i cili kishte mbetë me çibukun e gjatë në dorë tuj e tymosë për shtatë palë qejfe, iu drejtue spektatorit, me autoritetin e Baca Bajramit, me këto fjalë të cilat i nxori nga “xhepi” i vet:
-Tashti…a po na leni me “folë” ne apo po flisni ju?”
…Mbas kësaj batute që improvizoi Preka, drama për Bajram Begun, u kthye në komedi! …Eh, Prenkë Lëkunda , dritë i baftë shpirti ! /Publikuar në Facebook nga aktori Ymer BALA/