Ish-kryeministri i Bullgarisë dhe kreu i partisë opozitare të qendrës së djathtë GERB, Boyko Borisov është vendosur në pranga mbrëmjen e sotme si pjesë e një operacioni policor të lidhur me hetimet e zyrës së prokurorit të BE-së dhe Ministrisë së Brendshme.
Policia ka arrestuar gjithashtu edhe ish-ministrin e Financave Vladislav Goranov, ish-kryetaren e komisionit parlamentar për Buxhetin, Menda Stoyanova si dhe këshilltaren për mediat të Borisovit Sevdalina Arnaudova, transmeton Reuters.
“Një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në lidhje me 120 raste të Prokurorisë Evropiane në Bullgari. Janë kryer sekuestrime të shumta. Bojko Borisov, Vladislav Goranov, Menda Stoyanova dhe Sevdalina Arnaudova janë vendosur në pranga”, tha Ministria e Brendshme bullgare në një deklaratë për mediat.
Ndërkohë deri më tani nuk dihen arsyet dhe motivet e arrestimit të ish-kryeministrit.