Një vit më parë do të humbiste tragjikisht jetën në një aksident rrugor Eduard Grishaj, një nga intelektualët e spikatur të Shkodrës. Një emër mjaft i njohur në jetën publike, edhe si ish- këshilltar bashkiak, Grishaj ishte një nga studiuesit më pasionantë të vlerave të Shkodrës e Shqipërisë.
Në jo pak raste, ai ka qenë pjesë e studiove televizive, duke diskutuar edhe për çeshtje të mprehta të aktualitetit. Grishaj ka qenë edhe një mik e bashkëpunëtor i afërt me shumë media dhe gazetarë.
Në këtë përvjetor të parë të ikjes shumë të parakohëshme, familja Grishaj, bashkëshortja, djali, vëllezërit, të afërmit, miqtë e shokët, kanë vendosur ta kujtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Edi, siç e thërrasin akoma edhe sot miqtë e tij, ka lënë pas disa dorëshkrime, të cilat jo vetëm në respekt të punës së tij por edhe si vlera intelektuale, duhet të shohin dritën e botimit. “Gjakmarrja në prozën shqiptare”, është botimi i parë i autorit Eduard Grishaj, i cili do të promovohet nesër, ditën e shtunë, 19 mars 2022, në mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”.
Është një studim i mirëfilltë shkencor, vlerat e të cilit duhet të bashkëndahen me të gjithë studiuesit. Edhe pse është larguar fizikisht një vit më parë, familjarët, miqtë, shokët e të njohurit vazhdojnë ta kujtojnë Edin. Dita e nesërme, është një mundësi më shumë të ri- takohemi edhe një herë me mikun tonë, tashmë përmes promovimit të njërit prej dorëshkrimeve të tij që sheh dritën e botimit.