Sot u “takuam” sërish me Edin. Një vit nga largimi i tij i papritur dhe shumë i parakohshëm, Edi na “mblodhi” të gjithëve. Familjen e tij të shtrenjtë, Mirelen dhe Matiasin, vëllezërit ku Alfonsi me bashkëshorten Mirela kishte ardhur nga Amerika e largët, kushërinjtë Grishaj nga të gjitha anët e botës, miqtë, kolegët, të njohurit e shumtë të Edit.
Bashkëshortja Mirela, me mbështetjen e bashkëpunimin e Ermirës dhe Arbenit, Pjerinit por edhe shumë të tjerëve, sollën një grimcë nga universi i Edit. Shumica e ka njohur përmes publicistikës, shkrimeve, daljeve në media e televizione. Ndërsa nga sot, Edi do të jetë në “duart” e lexuesve, edhe atyre që nuk e kanë njohur.
Në jetën e tij, fatkeqësisht të shkurtër, Edi nuk e ndau asnjëherë librin nga dora. Ishte studiues i rradhë, me këmbëngulje të admirueshme, me koncepte të forta dhe me logjikë shkencore. “Gjakmarrja në prozën shqipe”, është vetëm botimi i parë nga dorëshkrimet e shumta që Edi la pas. Mes tyre, janë edhe 5 drama, të cilat mbase një ditë mund edhe të vihen në skenë.
Siç tha vëllai i tij Alfonsi, sot celebruam jetën e Edit, jo vdekjen e tij. Persona si ai, me kontribute publike, vazhdojnë të jenë thuajse të gjallë në mes të gjallëve. Ashtu siç preku me fjalët e saj edhe bashkëshortja Mirela, bashkëudhëtare e bashkëpunëtore e Edit, e cila tha se pres ta shoh mes jush diku në sallë…
Është e pamundur të shkruash rreshta të zakonshëm të një lajmi. Në radhën e parë të dhjetra miqve të Edit, është edhe Matias, djali i vetëm, drita e syrit e Edit, sot dyfish e nënës së tij, Mirelës. Ndoshta sot më shumë se kurrë, teksa rritet e hedh hapat e jetës, Matias ndjen mungësën e babait. Dhimbja nuk mund të përshkruhet dot me fjalë. Por sigurisht, është edhe krenar, shumë krenar.
Sot mbase, qartas dhe për herë të parë, pa nga afër shumë nga miqtë, kolegët e të njohurit e babait të tij të shtrenjtë. Një “faleminderit” e thjeshtë e tij teksa mori në duar “Mirënjohjen” e akorduar nga Biblioteka “Marin Barleti”, ishte më e shenjta fjalë që me patjetër, i solli në mendje Edin e tij, Edin tonë…
Sot të patëm mes nesh Edi. Ti je në mbretërinë e perjetësisë, por neve na mungon shumë. Do të vazhdosh të na mungosh, edhe pse jam i bindur se më sheh, na sheh nga lart dhe buzëqesh. Buzëqesh me këto rreshta, të ndoshta të duken jashtë natyrës time “të ftohtë” dhe habitesh. Por kështu e paska jeta o mik, kur i humbim i kuptojmë më mirë vlerat e të dashurve tanë. E na vjen keq që ato kafe që pimë bashkë, ishin aq të pakta pasi jeta na vuri përpara me ashpërsinë e saj.
Një ditë do të takohemi dhe do të kemi kohë pafund për biseda, polemika e debate, ngacmime miqësore e diskutime me orë… Na mungon Ed! Çdo fjalë sot më tradhton me një lot, edhe pse dikur mendoje se isha i fortë, shumë i fortë. /Nga Blerti DELIJA/