Vllaznia është në kolaps total, me shkodranët që marrin humbjen e dytë radhazi në kampionat. Pas disfatës me Tiranën, Vllaznia humbet dhe ndaj Egnatias me rezultatin 3-0.
Pritej që kjo ndeshje do ishte e vështirë për Vllazninë pas largimit të Tomas Brdariç. Egnatia dominoi gjatë gjithë pjesës së parë, me rrogozhinasit që shpërdoruan raste pafund.
Këmbëngulja shpërblehet dhe në minutën e 31 sulmuesi Pedro Augusto u dha avantazhin rrogozhinasve. U deshën rreth 5 minuta konsultim me VAR nga arbitri që të konfirmohej goli. Egnatia shpërdoroi raste të shumta, kjo dhe për faj të gabimeve të shkodranëve në mbrojtje.
Në pjesën e dytë Vllaznia bëri disa zëvendësime dhe kishte 2-3 raste të mira, por portieri Puja ishte i saktë për të larguar rrezikun. Në momentin më të mirë të tyre Vllaznia mbetet me 10 lojtarë, pasi Heriç u ndëshkua me karton të kuq.
Egnatia vulosi fitoren pas një kundërsulmi dhe ishte përsëri sulmuesi Pedro Augusto që shënoi golin e dytë. Por sulmuesi nuk kishte mbaruar aty pasi në minutën e 87’ ai shënoi golin e tretë personal.
Egnatia kishte nevojë për pikë mbijetese dhe i merr. Arrin të shënojë për herë të parë në Superligë tre gola në një ndeshje. Pedro Augusto nuk i besonte vetes pas golave të shënuar.
Në sfidën tjetër të mbijetesës, një i huazuar në janar nga Vllaznia, i jep tre pikë shumë të vlefshme Kastriotit. Goli i Kainas, mjaftoi që të mundej Partizani. Me këtë triumf Egnatia mbetet në vendin e 8 me 27 pikë të grumbulluara, ndërsa Vllaznia në vendin e 4 me 39 pikë.