Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u dhunua fizikisht, me sende të forta kuzhinieri 39-vjeçari Indrit Çela. Autorët e dyshuar, dy vëllezërit nga fshati Derven, njëri prej të cilëve, shtetasi Ernest Luka, 24 vjeç është kapur mbrëmjen e djeshme gjatë operacionit policor të koduar “Derveni”.
Vëllai tjetër, shtetasi Donald Luka, 27 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tij.
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas kishin dhunuar fizikisht shtetasin Indrit Çela, i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se:
Shtetasit Ernest Luka dhe Donald Luka, vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi Indrit Çela, 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shtetasi Ernest Luka, është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi Donald Luka, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve Indrit Çela, dhe vëllezërve Ernest Luka e Donald Luka, ka pasur konflikte të mëparshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.