Gilman Lika mendon se klubi i Vllaznisë ka gabuar me shkarkimin e trajnerit gjerman, Tomas Brdariç. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni që ka arritur të fitojë edhe trofe me fanellën kuqeblu, analizon situatën në skuadër pas humbjes së fundit ndaj Egnatias. Sipas ish-mesfushorit, aktualisht është problematike në ekip mungesa e dëshirës që kanë shfaqur futbollistët.
Për Likën, trajnerit Ekvis Plori duhej t’i jepej besim në verë dhe jo në këtë moment delikat.
Gilman, së pari e prisnit largimin e Tomas Brdariçit pas humbjes ndaj Tiranës?
Të them të drejtën, kam qenë kundër këtij vendimi, sepse më mirë se e njeh ai ekipin, s’ka për ta njohur dikush tjetër. Unë mendoj se vetëm Brdariç mund ta nxirrte Vllazninë nga kjo situatë, prandaj dhe them se largimi i tij nuk ishte vendimi i duhur. Megjithatë, tashmë që u bë fakt, shpresoj që të dalë i duhuri.
Drejtuesit ia besuan stolin ndihmësi të Brdariçit, Elvis Plorit…
Mendoj se detyra e Plorit do të jetë e vështirë. Do të isha pro kësaj zgjedhjeje, por nëse do t’i besohej Plorit, diçka e tillë duhet të ndodhte në verë. Vetëm atëherë do të shikohej tamam puna e tij, pasi në këto kushte do ta ketë të vështirë. Shpresoj që t’i shkojë mbarë dhe personalisht i uroj suksese.
Në fundjavë Vllaznia pësoi një humbje të thellë ndaj Egnatias. Çfarë nuk shkoi, sipas jush, te skuadra?
Jam i habitur dhe nuk di çfarë të them, sepse me atë që pashë, nuk funksionoi asgjë. Nuk e kuptoj këtë sjellje të lojtarëve, pasi nëse e duan trajnerin dhe kërkojnë ta respektojnë atë, duhet t’i fusin një marsh më tepër dhe jo ta ulin ritmin krejtësisht. Në këtë moment më duket shumë problematike mungesa e dëshirës në skuadër.
Shpesh ka pasur ankesa edhe për gjykimin nga klubi. Ju si mendoni?
Mendoj se ka ndikuar në dëm të Vllaznisë edhe gjykimi. Janë bërë shumë gabime që kanë penalizuar jo pak ekipin.
Tashmë që shanset për titull janë sfumuar, mos ndoshta është në rrezik edhe pjesëmarrja në Europë me këtë ecuri?
Duhet të ndryshohet situata sa më shpejt dhe të kthehet entuziazmi në ekip, në mënyrë që të mos rrezikohet Europa.
Vllaznia luan në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Partizanit. Çfarë ndeshjeje prisni?
Gjithçka do të varet nga gjendja e ekipit. Stafi duhet të ndërhyjë sa më shpejt që të ndryshojë situatën, sepse nëse do të vazhdojmë si ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, atëherë çdo gjë do të jetë e vështirë. Nëse ekipi kthehet te lojërat e mira, Vllaznia do të jetë në finale.
Do të quhej një dështim total nëse skuadra nuk do të arrinte që në fund të sezonit të siguronte Kupat e Europës?
Pa diskutim që është dështim dhe shpresoj të mos ndodhë, sepse do të ishte kosto e madhe për klubin. /Nga Admir URUÇI/