Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së tyre, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “Trinomi”.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Dean Gega, 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ylli Pali, 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Ylli Pali, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrolllit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xhovani Ndreca, 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike etj.
Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.