Ka një aksiomë në mes ne gazetarëve. Gjashtë muaj para dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve, situata e rendit tronditet. Ndoshta edhe këtë herë në Shkodër, aksioma rezultoi e vertetë. Jo rrallë e kemi konsideruar Shkodrën si një Palermo e viteve të saj më të errëta në Itali. Përditshmëria e mbarsur me hallet që derivojnë nga pandemia por edhe rritja katastrofike e kostos së jetesës muajt e fundit (nga janari të paktën), na e largojnë vëmendjen shpesh herë dhe zgjohemi të trandur nën peshën e shpërthimeve me tritol. Edhe kur nuk i dëgjojmë me veshët tanë.
Pedonalja kryesore e shkodrës, e cila nis nga Dugajët e Reja dhe arrin deri tek Pallati i Kinezëve, mund të konsiderohet si “zemra” e qytetit të Shkodrës. Teorikisht, është pjesa më e frekuentuar e qytetit, ajo që para pandemisë, gjallonte edhe përtej orës 3 pas mesnate. Po terorikisht, ajo duhet të jetë edhe pjesa më e sigurtë, më e mbrojtur. Jo vetëm nga forcat e rendit por edhe nga kamerat që duhet të monitorojnë bisneset përgjatë pedonales. E mu aty, vetëm pak metra larg Gjykatës së Shkodrës, e cila ruhet 24 orë, dikush/disa kanë guximin të vendosin…tritol.
Ballë për ballë me bisnesin LC Waikiki në pedonale, është edhe ndërtesa e Prefekturës dhe e Këshillit të Qarkut Shkodër. Janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe si rregull, ruhen 24 orë. Por as ky fakt nuk ka dekurajuar ata që vendosën lëndën plasëse. Ndoshta rreth 50 metër në vijë ajrore, është edhe ndërtesa e Bashkisë së Shkodrës. Të gjitha këto detaje për të kuptuar guximin që kalon çdo imagjinatë të atij/atyre që ndërkorën veprime të tilla në Pedonalen e Shkodrës.
Ora 2 pas mesnate, gjen një qytet të fjetur. Në rrugët e Shkodrës nuk ka thuajse asnjë lëvizje. Ndoshta të vetmet që kanë apo duhet të kenë guxim të lëvizin, janë mjetet e Policisë së Shtetit. A patrullojnë këto efektivë gjatë natës në rrugët e qytetit? Mbetet pyetje retotike, të paktën për 2 orët e fundit.
Këtë herë eksplozivi ka goditur dy bisnese të rëndësishme. Një bisnes markë veshmbathjesh në Pedonale dhe një supermarket markë në “Rrugën e gjërë”, në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi”. Në katin e tretë të ndërtesës në Pedonale, jeton edhe një familje. Është mjaft e njohur në Shkodër e më gjërë, sidomos javët e fundit. Pronari i ndërtesës, është ish- kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 6 marsit. E këtu ngjarja futet në një spirale aspak të këndshme, edhe pse me gjasë, nuk ka lidhje me këtë fakt.
Gishti i fajit, drejtohet nga ajo mori strukturash që paguhen për të garantuar jetën, pronën, bisnesin e qytetarëve: shteti! Sigurisht, duke mos jetuar në Hënë por në Shkodër e Shqipëri, vështirësitë e punës së tyre, i njohim të gjithë. Duke nisur nga paga e ulët dhe deri tek hallet e përditshme si çdo qytetar tjetër. Kanë bërë e bëjnë sakrifica, deri me jetët e tyre. Edhe nëse mposhtin gjithçka dhe fiton dëshira, përgjegjshmëria për të përmbushur detyrën, pengesën më të madhe e kanë nga lart! Sepse “peshku qelbet nga koka” është një tjetër aksiomë.
Hall të jesh i varfër dhe të mos sigurosh të ardhurat për të mbajtur familjen. Hall edhe më i madh të kesh pasuri, prona, të ardhura, bisnese se mund të jesh shënjestër e kërcënimit, mitmarrjes, gjobave, paralajmërimeve, pengmarrjes apo…tritolit. Këto janë zgjedhjet që kanë sot shkodranët, nga ekstremi në ekstrem, duke rrezikuar në çdo rast gjënë më të shtrenjtë: Jetën!
Shkodra është një nga zonat me shpopullimin më të madh në vend. Ditë për ditë dhjetra makina 5+1 transportojnë shkodranët drejt një jete më të mirë, qoftë edhe në një kamp refugjatësh, qoftë edhe me gjithë familjen. Ngjarje si të mbrëmshmet, vetëm e stimulojnë këtë fenomen. Ndërsa fatlumët që tashmë e kanë bërë këtë zgjedhje, teksa lexojnë apo shohin çfarë ndodh në Shkodër, ndjehen të zgjuar për zgjedhjen e bërë. “Nuk është asnjëherë vonë të lësh duhanin dhe të ikësh nga ky vend”, është aksioma që mbyll këto radhë. /Nga Blerti DELIJA/