Pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi njohjen e vendimeve që mori kuvendi i 11 dhjetorit të vitit të kaluar, është krijuar një situatë tjetër e re dhe optimiste për bashkimin e plotë të PD dhe nisjen e një procesi për riorganizimin e saj me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të saj. Qoftë brenda PD-së përmes kuvendit të 11 dhjetorit që organizoi Foltorja në kontrast të plotë me atë të 17 dhjetorit që organizoi selia me Bashën, qoftë me 6 mars në zgjedhjet e pjesshme lokale ku votuan 200 mijë persona dhe foltorja zuri vende të dyta dhe siguroi një fitore përkundrejt selisë që doli në vend të fundit, përveçse një bashkie të vogël ku doli në vend të dytë, u vërtetua plotësisht se foltorja kishte prodhuar shumicën në PD dhe selia ishte tashmë pakicë.
Në këto rrethana, me dosje dhe pa dosje, mjafton të kesh minimumin e realizmit në gjykim për të vendosur depozitimin e dokumenteve që prodhoi kongresi i 11 dhjetorit. Kushdo të ishte gjyqtar do të bënte të njëjtën gjë pasi ishte ndër të rrallët procese gjyqësore që në njëfarë mënyrë u zhvilluan në sytë e të gjithë njerëzve dhe me pjesëmarrjen e disa mijëra prej tyre.
Çfarë mund të bënte një gjykatës që ka sy, veshë, mendje dhe profesionalizëm përveç asaj që bëri gjyqtari Artan Zhukri edhe pas këmbënguljes së tij që të mos përfshihej në këtë çështje.
Qartësisht që përfaqësuesit e selisë po ndjekin ritmin e Bashës për të bërë opozitë dhe veset e Bashës për të zgjidhur problemet që iu dalin përpara në lidhje me forcimin e opozitës.
Alibeaj, kryetar i komanduar, tha pas daljes së vendimit se do të vijojë të drejtojë selinë deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Në pamje të parë ky qëndrim është i natyrshëm, pse të mos pritet deri në fund të tij, edhe pse dihet që çështjet të tilla gjyqësore, nëse nuk ka vullnet nga administrata e gjykatave, mund të marrin fund pas disa vitesh, pra, PD mund të mbyllë të paktën dy palë zgjedhje në pritje të apelimit për vulën dhe zyrat. Pavarësisht se deklarata për apelim nuk ka sens pasi këtë ankim mund ta bëjë vetëm ata që kanë bërë kërkesën dhe kërkesa është bërë nga Rithemelimi.
Por ajo që e zhbën pritjen e Alibeajt janë deklaratat e tij mbi këtë ‘penelopizëm’ të pahasur në një parti politike.
Alibeaj dhe njerëzit e tjerë të rrethit më të ngushtë të Bashës thonë se vendimi i Gjykatës është i apelueshëm. Në fakt, vendimi i gjykatës është mjaft specifik dhe burokratik. Ai vendos thjesht depozitimin e dokumenteve të Kuvendit dhe asgjë më shumë. Dokumentet e prodhuara nga një forum mbështeten në statutin e vjetër të PD-së dhe ndiqen nga një set provash që vërtetojnë se forumi është mbledhur në pajtim me statutin dhe plotëson kriteret për të pasur fuqi vendimmarrëse. Më pas, vetë Kuvendi, pasi legjitimohet, merr vendime të tjera që konvertojnë statutin nëse e duan pjesëmarrësit dhe vendime të tjera, siç ka ndodhur më 11 dhjetor, ku është shkarkuar kryetari, kryesia, këshilli kombëtar.
Së dyti, pretendimi i Alibeajt dhe të tjerëve në seli se meqenëse u largua Basha të largohet dhe Berisha përbën një sforcim për të arritur simetrinë mes asaj që për lehtësi kuptimi po i thërrasim dy palë. Largimi i Bashës ndodhi për shkak se përçau partinë ose siç tha vetë ai nuk arriti të ndalë përçarjen dhe kur ajo ndodhi nuk ia doli ta bashkonte. Basha kishte përgjegjësinë ta bënte këtë. Por ndërkohë Basha iku edhe pas një humbjeje tjetër në zgjedhje dhe kësaj here një humbje me dy të tilla brenda saj, një humbje ndaj qeverisë dhe një humbje ndaj atyre që kërkonin largimin e tij. Humbja ishte faqe të gjithëve, publike, me vota të numëruara edhe prej tij përmes një procesi transparent.
Berisha është i larguar ndërkohë. Nuk mund të largohet ai që është i larguar dhe se në përpjekjen e tij për t’u afruar ka fituar. Dhe kjo fitore e tij është pikërisht shkaku i largimit të Bashës. Largimi i Bashës dhe njëhkosisht i Berishës i heq shkakun e largimit Bashës. Ose të largohet Basha dhe Berisha të qëndrojë, ose Berisha të rrijë i larguar dhe Basha të kthehet. Këto janë logjike, këtu ka simetri. Ndërkaq thyerja tjetër e simetrisë kësaj here jo si thyerje logjike por numerike është se selia është konfirmuar pakicë edhe në kuvendin e 11 dhjetorit, edhe në atë të 18 dhjetorit, edhe në zgjedhjet e 6 marsit, pro edhe në grupin parlamentar, kryesinë e PD-së dhe ndoshta edhe në këshillin kombëtar kakofonik.
Së treti, pretendimi i Alibeajt se është nevoja që ka PD për të pasur mbështetjen amerikane, e cila humb në rast se Berisha non grata nga amerikanët kthehet në PD, pra, në strukturat e saj si grupin parlamentar, por edhe përmes zgjedhjeve në krye të PD. Mbështetja amerikane për Bashën ka qenë edhe argument që ka përshkruar gjithë qëndresën e selisë ndaj foltores. Nëse nuk do të kishte qenë ky fill demagogjik dhe propagandistik, problemet brenda PD do të ishin zgjidhur shumë më herët.
Kjo tezë është përforcuar në media dhe është propaganduar në të gjitha nivelet e PD-së, pasi Basha e ka ushqyer shumë deri edhe në skaj duke thënë se SHBA, pra, zyrtarët e saj e kanë siguruar atë se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deklarata e Bashës bie ndesh edhe më vetë historinë elektorale të Bashës, por edhe me verifikimin e kësaj mbështetje në zgjedhjet e 6 marsit. Vetëm nëse e kanë ndihmuar në Rrogozhinë të humbte, por të mbante vendin e dytë se në pesë bashkitë e tjera humbi edhe ndaj qeverisë edhe ndaj foltores. Mos kanë ndihmuar foltoren amerikanët? Natyrisht që jo. I bie që kanë ndihmuar edhe qeverinë pasi Rama mori të paktën 10% më shumë se në zgjedhjet e fundit.
Ata nuk kanë ndihmuar asnjë. Sepse është e tepërt të thuhet se ata përfshihen në këtë mënyrë siç predikonte Basha në zgjedhjet e një vendi anëtar të NATO-s.
Çështja e marrëdhënieve me SHBA në kushtet e Berishës në krye të PD, duhet menaxhuar mes dy palëve. Non grata e Berishës nuk ndikon proamerikanizmin dhe properëndimin e bazës së PD, as të vetë Berishës. Ish-Kryeministri e ka ngritur një çështje në gjykata të vendit të tretë, ndërsa non grata e dhënë nga amerikanët nuk ka ngjitur në opinion për arsye që tashmë janë thënë shpesh, por mbi të gjitha inkoherencës e masës në kohë dhe thelb.
Së fundi, vendimi i Alibeajt dhe Bardhit për të zgjatur mosbashkimin qoftë edhe pak ditë dhe vetëm në këndvështrimin proceduarial i jep edhe më tepër ushqim asaj që shprehet shpesh ditët e fundit se dorëheqja e Bashës është një trik dhe se rezoluta e pamiratuar e grupit parlamentar nuk është asgjë më shumë se një skenar për të falur sërish zgjedhjet lokale të Ramës dhe kthimin pas humbjes së thellë në PD të Lulzim Bashës.
E theksoj procedurale, pasi grupi parlamentar është bashkuar më shumicën më të madhe, disa kryetarë lokalë krah Bashës e kundër foltores janë gati të përfshihen në procesin e rithemelimit dhe baza e PD ka qenë kryesisht e bashkuar. Kjo nuk do të thotë se PD paska këto ditë një unitet pasi gjithnjë në PD kanë lëvizur korrente edhe kundër Berishës, edhe kundër të tjerëve, dhe nuk kanë qenë pak, por për të theksuar se ai 30% i zgjedhjeve brenda opozitës më 6 mars që shkoi për Bashën nuk është më.
Ka mbetur ajo letra në A4 që shëtit sa tek Inspektorati i Drejtësisë dhe sa te gjykata apo SPAK për të mbushur me hije vendimin më rutinë të një gjykate që është regjistrimi i një dokumenti për organizatat politike.
Është zvogëluar pjesa që ushqen ndarjen dhe se po vjen puna që edhe bashkimi nuk ka më kuptim si synim, çfarë më kujton atë barsoletën e studentëve në kohën e komunizmit që e thërrisnin ‘drama’: kam me se, kam se ku, por s’kam me kë.