Një përfaqësi e Komisionit të Rithemelimit mbërriti në selinë e PD-së gjatë ditës së sotme. Deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe ish deputeti Klevis Balliu hynë në ambientet e PD dhe thanë se po priten ekspertët për të hequr dyert e blinduara.
Noka ka deklaruar se do duhet një kohë e gjatë për të çmontuar dyert e blinduara. Ndërkohë që deputeti Flamur Noka deklaroi se do rikthehet në detyrë roja historik i selisë blu, Pëllumb Matraku, i cili u largua nga detyra disa ditë para përplasjes së 8 janarit.
“Që nga sot do rikthehesh në krye të detyrës!”, u shpreh Flamur Noka teksa një dorë e mbante mbi supin e rojes së PD.
Pëllumb Matraku deklaroi para protestës së 8 janarit se vendosi të largohet nga detyra pasi nuk i pëlqenin reagimet që po ndodhin mes demokratëve.
“Kam punuar 24 vite në PD. Jam shumë krenar që kam punuar me profesor doktor Sali Berishën. Në 2 legjislaturat e fundit kam punuar me Lulzim Bashën, i jam shumë mirënjohës.
Sot (të mërkurën) bëra një largim para kohe sepse nuk më pëlqejnë disa reagime mes demokratësh. Bëni mirë të gjeni gjuhën, mos i bëni qejfin të tjerëve”, shkruante Pëllumb Matraku në atë kohë.