Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Mbrëmjen e kaluar qarkulloi informacioni se Bllako është arratisur nga vendi. Kjo, pas një fotoje të publikuar nga avokati i ish- deputetit socialist, ku dukeshin krahët e një avioni dhe mbishkrimi “Ciao, perqafime”.
Duket se njoftimi i Policisë së Shtetit mbyll hamendësimet, ndërsa është i çuditshëm reagimi i vonuar i saj, duke patur parasysh lajmet kontradiktore për fatin e ish- deputetit të majtë i përfshirë në aferën e inceneratorëve.