Lulzim Basha vazhdon takimet në fshatra por edhe qytete të ndryshme të Shqipërisë. Sot, është paralajmëruar prania e tij në Shkodër në takimin e radhës. Ish- kryetari i PD- së, sot deputet i thjeshtë i saj, po vijon turin në një kohë kur gjykata ka njohur zyrtarisht Komisionin e Rithemelimit të PD- së, kur Berisha por edhe Alibeaj si njeri shumë i afërt i Bashës, po përsërisin thirrjet publike për bashkim. A i sherben bashkimit apo përçarjes së PD- së ky tur?
Me 9 shtator 2021, Lulzim Basha bëri publik vendimin e tij personal për të pezulluar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD- së, nisur nga shpallja “non grata” e tij nga SHBA- të. Në arsyetimin e tij, duke e konsideruar si vendimin më të vështirë politik, Basha më shumë se njëherë artikuloi se “votimi në forume, do të sillte përçarjen e PD- së”. Për këtë arsye, ai mori i vetëm një vendim, pasojat e të cilit tashmë janë të qarta.
PD- ja u fut në një “luftë civile”, ku demokratët e të gjitha niveleve por edhe mbështetës e simpatizantë të saj, nisën ta shohin njëri- tjetrin si kundërshtarë. Madje, përballja ishte edhe publikisht më e ashpër se me rivalët historikë, PS- në, anëtarët, mbështetësit e simpatizantët socialistë. Ndërsa Berisha ndërmori “Foltoren” e tij, PD- ja zyrtare e Bashës filloi me pezullime, përjashtime, shkarkime e emërime, duke e thelluar çarjen në këtë parti.
Paralelisht, palët lëviznin edhe juridikisht. Berisha realizoi Kuvendin Kombëtar me 11 dhjetor dhe referendumin për shkarkimin e Bashëe me 18 dhjetor 2021. Në të njëjtën ditë, Basha uli 5004 delegatë në 1958 karrige të Pallatit të Kongreseve për të përjashtuar përjetësisht Berishën nga PD- ja. 8 janari 2022, është një nga ditët më të turpshme jo vetëm për PD- në por për të gjithë klasën politike në 30 vite.
Polemika, akuza, kundërakuza, sharje, fyerje e deri edhe ndonjë kontakt fizik, ka patur edhe në subjekte të tjera politike. Por asnjëherë nuk kujtohet se njëra palë blindon selinë qendrore që të pengojë futjen në të të një pjese tjetër, madje të shumicës siç u konfirmua zyrtarisht me 6 mars 2022. Basha e konsideroi “kurth” këtë datë, edhe pse u shpreh publikisht se PD- ja e tij, do të fitonte në të 6 bashkitë ku votohej.
6 marsi 2022 ishte “pika” që derdhi ujin në gotën e PD- së. Basha dha dorëheqjen, pasi edhe mbështetësit e tij më të flaktë, e braktisën publikisht. I mbetën dhe i ka akoma, vetëm Alibeajn dhe Bardhin. Vijmë në orët e fundit. Përkujtimi i “2 prill 1991”, solli edhe zhvillimin më të rëndësishëm, në qasjen publike. Deputetët demokratë, jo vetëm u takuan me Berishën me mjaft përzemërsi, duke u rreshtuar njëri pas tjetrit, por edhe i qendruan në sfond të kameras teksa ai fliste për mediat.
Me 6 mars, të gjithë deputetët e Shkodrës, Helidon Bushati, Greta Bardeli, Zef Hila, Ramadan Lika dhe Emilia Koliqi, mbështetën me të gjitha forcat PD- në e Bashës dhe kandidatin e tij në Shkodër. Qendrimi i tyre pas 6 marsit e sidomos me 2 prill 2022, ishte krejt i natyrshëm. Verretë se kandidimi i tyre në KQZ u depozitua ne firmën e Bashës, por votat qoftë partiake, qoftë individuale, i morën nga antarësia, e cila me shumicë të dukshme, mbështeti Berishën dhe Komisionin e Rithemelimit.
24 orë pas këtij “2 prill” me simbolikë të fortë bashkimi, Lulzim Basha sfidon përsëri. Askush nuk do ta pengonte të ishte në Shkodër me 2 prill 2022. Madje, do të ishte mjaft i vlerësuar. Nëse do të shtrëngonte duart me Berishën do të ishte edhe më mirë por edhe nëse nuk do ta bënte, përsëri do të ishte i respektuar. Dëshmorët e Demokracisë mund të nderohen nga çdokush që e ndjen ta bëjë. Basha por edhe Berisha, kanë shtrënguar duart me rivalin historik Edi Rama, madje kanë nënshkruar edhe marrëveshje me peshë për fatet e vendit. Kaq e vështirë do të ishte të shtrëngonin duart, qoftë edhe si një mesazh për antarët e thjeshtë të PD- së…?! Më pas, mund të vijonte “luftën” për të penguar ardhjen e Berishës në krye të PD- së, siç po përpiqet ditë për ditë Alibeaj dhe Bardhi…
Por jo! Basha nuk zgjodhi këtë rrugë. Duke bërë si gjithmonë zgjedhjen e gabuar, vendosi të vijë në Shkodër ditën pas. Nuk ka dyshim se nuk ka ardhur në emër të bashkimit, për të mos thënë se ka ardhur në emër të përçarjes. Sepse bashkimi, edhe publikisht, u realizua në 2 prill 2022. Sigurisht, Basha ka të drejtë ti bjerë pash më pash vendit. Të takojë kë të dëshirojë dhe ku të dëshirojë. Mund edhe ti japë jetë një partie tjetër sepse me PD- në që drejtoi për gati 9 vite, po largohet ditë pas dite.
P.S. Personalisht, jam ndër ata persona që kam mbështetur idenë e një turi të Bashës paralelisht me “Foltoren” e Berishës. Të dy tek antarësia, në përpjekje për të bindur bazën se cilën alternativë duhej të mbështeste. Sot basha po bën atë që duhej të bënte të paktën 6 muaj më parë, ndërsa kryefjala në PD është bashkimi. /Nga Blerti DELIJA/