Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e kësaj të diele Tiranën, por jo vetëm, ku një person u ekzekutua. Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:30 në autostradën Tiranë-Durrës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të një makinë “Land Rover” ku brenda ndodhej një i ri rreth 35 vjeç.
Burime nga policia bëjnë të ditur se makina ndaj të cilës u qëllua është marrë me qira në Rinas. Mësohet po ashtu, se shtetasi Hekuran Xhixha e ka shitur makinën në Rinas, pikërisht në qendrën ku jepen mjete me qira.
Ndërkohë bëhet e ditur se viktimë e këtij atentati ka mbetur Iljaz Çali, 37 vjeç, i cili dyshohet se është qëlluar nga një automjet tjetër i cili ishte në lëvizje.
Ai është qëlluar nga një mjet tjetër në lëvizje në mes të autostradës teksa udhëtonte me një makinë tip ‘Land Rover’ të marrë me qira. Iljaz Çali, 37 vjeç, banues në Rinas të Ri, në vitin 2016 ka qenë në kërkim për trafik droge. Dyshohet se atentati ka ndodhur për larje hesapesh. Kanë qenë familjarët e viktimës të cilët kanë identifikuar të riun ndërsa policia ka nisur hetimet për krimin.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bllokuar edhe qarkullimin në autostradë. Blutë e Tiranës bënë të ditur se në bashkëpunim me policinë Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 03.04.2022, në autostradën Tiranë-Durrës, përballë DHL-së, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip “Land Rover” dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.