Mbeti jashtë Kuvendit në zgjedhjet e vitit të kaluar por pa u mbushur viti, rifiton vendin. Ish- kryeministri Pandeli Majko ka pranuar zyrtarisht të marrë mandatin e lënë nga Alqi Bllako, deputeti që u arrestua për aferën e inceneratorëve.
Pasi Bllako dorëzoi përmes dorëheqjes mandatin e deputetit, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi për vakancën e krijuar KQZ- në. Kjo e fundit, pas verifikimit të listës së kandidatëve të 25 prillit 2021, konstatoi se mandati duhet të kalojë tek Pandeli Majko.
Procedura parashikon që i nominuari, duhet të shprehë vullnetin e tij për të pranuar mandatin e deputetit dhe kështu ka ndodhur me Majkon.
Me shumë mundësi, në seancën e parë plenare, Pandeli Majko do të rikthehet si deputet, duke bërë edhe betimin si i tillë. Majko është ndër deputetët më të vjetër të Kuvendit dhe do të vijojë të jetë në parlament.