Ne prag te ndeshjes me Vllaznine, skuadra laçiane ka mbetur pa trajner. Mesohet se Mirel Josa është larguar zyrtarisht nga skuadra e Laçit. Është klubi kurbinas që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar bën me dije se palët kanë shkëputur me konsensus marrëveshjen.
Bardhezinjtë falënderojnë teknikun e njohur për kontributin e dhënë. Trajneri kryeqytetas mori drejtimin e ekipit laçian në tetor të vitit të shkuar.
Në njoftimin për mediet bëhej me dije: “KF Laçi njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa. E falënderojmë profesorin për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij në këto 6 muaj dhe i urojmë suksese në vazhdim”.
Aktualisht Laçi gjendet në vendin e dytë me 46 pikë, 2 më shumë se Kukësi në vend të tretë. Humbja 2-1 kundër Partizanit duket se i ka kushtuar shumë kurbinasve, teksa në këtë fund kampionati ka ardhur ndryshimi në pankinë.
Pas largimit te Joses tashme mbetet per t’u pare se kush do ta drejtoje kete skuader ne ndeshjen e se shtunes ne “Loro Boriçi” ndaj ekipit te Vllaznise.