Laçi dhe Teuta e mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, ndërsa ata që në fund festuan ishin kurbinasit falë triumfit në takimin e parë me rezultatin 1-2 duke shkuar në finalen e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Shqipëri.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, ajo nisi në malore për Laçin teksa u ndëshkuan në minutën e 16. Një gafë e mbrojtësit Velkoski rezultoi vendimtare me Rubin Hebaj që nuk fali përballë Dajsinanit. Megjithatë, kurbinasit provuan të reagonin me shpejtësi, ndërsa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 44-të me anë të Adeleke.
Ky i fundit lëvizi bukur në zonë, teksa shfrytëzoi edhe një gabim të Todorovskit. Sa i takon pjesës së dytë, Laçi ishte më superior duke e kërkuar me ngulm golin falë edhe aftësive të Guindo, megjithatë nuk pati më ndryshim rezultati dhe kurbinasit festuan arritjen në finale.
Kështu, Laçi bëhet e para skuadër finaliste e këtij edicioni teksa rikthehen në finalen e këtij trofeu pas katër vitesh mungesë ndërsa presin fituesen e çiftit Vllaznia-Partizani. Kurbinasit e kanë fituar këtë trofe dy herë gjatë historisë së tyre, ndërkohë për herë të fundit ishin në finale sezonin 2017-2018, kur u mposhtën ndaj Skënderbeut me rezultatin 0-1. Gjithsesi, këtë herë ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro do të shpresojë në një tjetër përfundim.
Laçi -Teuta 1-1 (Adeleke 43′ / Hebaj 16′)