Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka dalë pas ndeshjes me Partizanin në konferencë për mediat, ku ka folur për ndeshjen e luajtur dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Gurishta theksoi se rikthimi i tij ishte me shans, sepse ai e ndjente që do të kualifikoheshin. Ai thotë se do ishte një dështim i të gjithë sezonit, nëse nuk do vinte ky kualifikim dhe tani që ky kualifikim u arrit, Gurishta ndjehet tepër mirë dhe shumë i lumtur njëkohësisht.
Ndërkohë, sipas liderit të shkodranëve, goli i shpejtë i Partizanit i dha forcë Vllaznisë, pasi ai gol i zgjoi nga gjumi dhe u rikthyen për të gjetur forca dhe për të barazuar.
“Eshtë e vërtetë. Ndoshta, rikthimi im ishte me shans, por me thënë të drejtën, unë dola para ndeshjes në konferencë, siç e thashë, e ndieja me shpirt, që të isha në këto momente, sepse ose do ta siguronim finalen ose do të dështonim të gjithë. Edhe pse nuk isha në 100% tim të them të drejtën, sepse ka shumë kohë që jam jashtë, por e ndieja moralisht. E ndieja të isha pranë ekipit, sepse ekipi kishte nevojë për mua, në çdo aspekt dhe më vjen mirë që e arritëm.
Eshtë e vërtetë, sepse ne e menduam ndeshjen ndryshe, por ai gol i shpejtë, aksioni i parë i Partizanit, na shënuan gol dhe normalisht na prishi pak punë. U detyruam të kishim taktikë tjetër, por mesa duket ai gol na dha forcë. Na çoi nga gjumi dhe ne u rikthyem. Gjetëm forca, barazuam. Unë them që zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Mendoj se nuk e merituam të shkonim deri në penallti, por gjithsesi edhe penalltitë janë pjesë e lojës. Kualifikimi ishte më se i merituar.
Shiko, finalja ka kohë. Do të mendojmë për finalen. Normalisht, Laçi është një ekip i fortë, por tani lufta jonë është në kampionat. Ta sigurojmë Europën nëpërmjet kampionatit dhe pastaj të shkojmë të qetë në finale.
Me Teutën, normalisht, që do të jetë një ndeshje e fortë. Teuta ka objektiva të tjerë, ne kemi objektiva të tjerë. Presim një Teutë agresive, por mendoj se duhet të shkojmë në stadiumin “Niko Dovana” dhe të marrim tre pikë, sepse është e vetmja mënyrë që të jemi në garë për objektivin tonë.
Sigurisht që, tifozëria kishte shumë peshë te kjo fitore e jona. Unë bëra edhe një thirrje para ndeshjes, i bëra thirrje tifozërisë që të na mbështetnin, sepse kishim nevojë në këto momente, sepse ne ishim të dëmtuar psikologjikisht, pas atyre rezultateve negative dhe normalisht që kishim nevojë për tifozërinë. Gjej rastin t’i falënderoj. Unë e them dhe e kam thënë gjithmonë se tifozëria e Vllaznisë është tifozëria më e mrekullueshme në Shqipëri.
Shpresoj ta mbajmë tifozërinë të lidhur me Vllazninë. Realisht, tifozëria mbahet e lidhur me rezultate pozitive. Deri tani, nuk i kemi pasur dhe unë e thashë që edhe me të drejtë, tifozëria mund të ketë kritika ndaj nesh dhe pakënaqësi. Normalisht, ishin me të drejtë, sepse kemi zhvilluar ndeshje shumë të dobëta, por kemi nevojë për tifozërinë, sepse tifozëria duhet të jetë pranë ekipit edhe në momente të vështira.
Shiko, ne kishim premio. Presidenti Xhaferi na komunikoi që kemi premio që në ndeshjen e parë që kishim me Partizanin në Elbasan, premio për kualifikimin, por natën e mbrëmbshme na motivoi edhe më shumë, sepse e dyfishoi premion. Kështu që, jemi të lumtur.
Shifra nuk po flasim, por kemi marrë një super premio”, mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. /Nga Maringlen ZHIVANI/