Vllaznia do të luajë nesër sfidën e javës së 29-të të Superligës ndaj Teutës në transfertë. Ndeshja do të zhvillohet në “Niko Dovana” e do të nisë në orën 16:45. Pas kalimit në finalen e Kupës, skuadra shkodrane do të kërkojë të fitojë edhe në kampionat. Sot në konferencën për mediat ka folur edhe trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori. Numri një i stolit shkodran ka analizuar sfidën me Teutë, çështje Diagne si dhe gjendjen e skuadrës.
“Arritja e finales së Kupës të jep qetësi dhe përgatitjet për ndeshjen ndaj Teutës pritet të jenë më të mira dhe entuziaste. Kemi edhe 8 javë deri në fund, them se duhet t’i marrim ndeshjet një nga e një dhe të shfrytëzojmë momentin e mirë që po kalon skuadra pasi kalimit në finale.
Na motivon me tepër kur nuk përmendemi që jemi edhe ne për Europën nga kampionati. Mendoj se fryrja e madhe në fillimit të sezonit që do dilnim kampion na ka dëmtuar dhe them se ka ndikuar për keq. Nëse do të flitet që nuk jemi për Europën do të jetë një motivim më shumë për ne. Çdo skuadër ka shpresa derisa matematika e lejon dhe ne duhet të jemi objektiv pasi jemi brenda një cikli që nuk është mbyllur dhe është akoma i hapur. Objektivi minimal është të shkojmë në Europë dhe asgjë nuk është mbyllur. Nga i pari deri i fundit jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme.
Kemi luajtur shumë ndeshje gjatë javëve të fundit dhe është e vështirë për lojtarët pasi janë disi të lodhur. Duhet të kesh sa më tepër lojtarë që ta përballojnë 90 minutëshin, por kemi bërë mirë dhe i kemi të gjithë gati për nesër”.
Diagne? “Nuk mund ta quaj të larguar. Diagne është larguar një ditë para ndeshjes me Partizanin, unë personalisht shpresoj të mos ketë ndonjë problem të madh personal apo familiar sepse një lojtar profesionist nuk mund ta shpjegojë ndryshe largimin në atë situatë që ishim ne dhe që luanim gjithë fatin e sezonit. Shpresoj që të jetë gjithçka mirë dhe ai të rikthehet me skuadrën. Nuk do të jetë as nesër me ne”.
Teuta? “Objektivi është të shkojmë të bëjmë një futboll të mirë, te ketë entuziazëm dhe lojtarët të shprehen sa më mirë në fushën e lojës. Teuta është një skuadër që sezonin e kaluar doli kampion dhe duhet vlerësuar maksimalisht pasi kanë lojtarë që dijnë të luajnë futboll. Duhet të përqendrohemi dhe të shfrytëzojnë nga momenti i tyre jo i mirë”, u shpreh Plori.