Vllaznia do të luajë të shtunën në “Loro Boriçi” një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e saj në kampionat. Ajo do të presë në fushën e saj ekipin e Partizanit, një rival direkt në luftën për një vend në Kupat e Europës.
Kjo ndeshje po vlerësohet maksimalisht në kampin kuqeblu. Futbollistë e trajnerë janë duke e përgatitur në mënyrën e duhur këtë sfidë dhe pavarësisht ndonjë mungese që mund të ketë sërish skuadra, nuk duan që të justifikohen, por të kërkojnë vetëm fitoren.
Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e klubit kanë vendosur që ashtu si në ndeshjen gjysmëfinale të kupës, edhe këtë herë të aplikojnë çmime të lira biletash për tifozët. Kështu, një biletë në tribunën përkarshi, do të kushtojë vetëm 200 lekë të reja, ndërsa në tribunat pas porte, biletat do të jenë edhe më të lira, vetëm 100 lekë.
Ndërkohë nuk kanë ndryshuar çmimet e biletave për në tribunën qendrore. Një gjë e tillë pritet të ketë ndikimin e vet tek tifozët që mendohet të jenë sërish në një masë të konsiderueshme në mbështetje të Vllaznisë. Kur kanë mbetur edhe 7 javë deri në përfundim të kampionatit, ajo i ka të gjitha mundësitë për ta siguruar Europën edhe përmes tij, duke shkuar më pas e qetë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit.
Por për ta arritur këtë gjë, pikësëpari duhet mundur të shtunën Partizani dhe për ta kaluar në renditje. Kalendari është shumë i favorshëm për kuqeblutë në këtë fazë të katërt të kampionatit dhe pritet vetëm që skuadra të tregojë vlerat më të mira në fushën e lojës.