Një nga deklaratat e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ku dëgjohet të thotë se edhe opozita është duke dhënë kontributin e saj që Rama të kthehet në një Zeus, dhe që Shqipëria të kthehet në një monarki të mundshme, është bërë virale në rrjet duke krijuar debate të shumta dhe reagime nga masa e gjerë.
Mësohet se deklarata është bërë para tre vitesh gjatë një emisioni televiziv. Për të gjithë këtë paqartësi, ministrja Bilali ka folur për moderatoren Çenkuela Hasa, në News24.
“Mendoj se ka ardhur momenti të mbaj dhe qëndrim, dhe kam mbajtur për një nga rastet si ‘Zeusi i famshëm’ dhe akoma nuk e kam çuar deri në fund. Të bardhës nuk mund t’i thuhet e zezë, pavarësisht se del dikush dhe e thotë, më pas bëhen 5 njerëz e më pas 50.
Po ta marrësh ta dëgjosh videon e cila sigurisht është shkëputur nga konteksti, por dhe nëse e merr e dëgjon të gjithë kuptohet qartë çfarë kam dashur të them. E ka sqaruar kryeministri 2 herë, e kam sqaruar unë 2 herë, por sigurisht për avantazhe politike njerëzve ju intereson ta përdorin”, u shpreh ministrja Bilali.