“Ndjekin një rrugë 20 km më të gjatë se ajo ekzistuese”, kështu shkruan në një publikim në Facebook deputetja e Qarkut të Shkodrës Emilia Koliqi, lidhur me çeshtjen e rrugës së Rinasit, e cila është mbyllur për veriorët, duke u kthyer me një sens kalimi.
Në faqen e saj zyrtare në Facebook, deputetja Koliqi evidenton edhe rritjen e çmimit të karburantit, të cilës i shtohen edhe kilometrat më shumë që duhet të bëjnë banorët e Veriut për të shkuar në aeroportin e Rinasit.
Deputetja Emilia Koliqi shprehet: Qarkullimi i automjeteve, që vijnë nga Veriu i Shqipërisë në drejtim të aeroportit të Rinasit me një sens lëvizje me drejtimin Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport, ka krijuar një kosto të rritur për gjithë banorët e Veriut.
Për një udhëtim drejt aeroportit, duhet të marrin automjete enkas dhe të ndjekin një rrugë 20 km më të gjatë se ajo ekzistuese. Kjo, në një kohë kur çmimet e karburantit po vijnë gjithnjë në rritje.
Me datën 1 mars 2022 çmimi për fuçi në tregjet ndërkombëtare ishte 105$ dhe në tregun vendas ishte 192 lekë. Qeveria, tashmë ka krijuar Bordin e Transparencës, gjoja në ndihmë të qytetarëve,
Por, sot me datë 4 prill 2022, kur çmimi për fuçi në tregjet ndërkombëtare është njëlloj sa me datë 1 mars, çmimi i caktuar nga Bordi është 243 lekë për litër. Rritje çmimi nga vetë qeveria me 27% dhe rritje e kilometrave për t’u përshkuar.
Banorët e Rinasit janë ngritur në protestë por këto protesta do të përshkallëzohen, pasi kjo nuk është zgjidhja. Po kur të fillojë fluksi i madh gjatë sezonit turistik dhe të bllokohet e gjithë rruga nga Lezha deri në Vorë, çfarë zgjidhjeje do të japë Autoriteti Rrugor Shqiptar!?
A do të vazhdohet përsëri me politikën e izolimit të Veriut, mungesën e investimeve, refuzimin e ndërtimit të segmentit rrugor të autostradës Adriatiko- Joniane: Muriqan, Balldre, Milot, Thumanë, Kashar e në vijim?!