Teoria politike “rruga e tretë” (Third way) ka patur ndër mbështetësit më të fuqishëm ish- kryeministrin britanik Tony Blair. Koncepti është më i gjërë por për ta shtjellur disi, lidhet me pozicionimin politik as majtas, as djathtas por as në qendër. Pra, një rrugë e re por pa një bazë ideologjike të konsoliduar e të perfeksionuar përgjatë viteve nga shoqëria njerëzore.
Ideja e “rrugës së tretë” më erdhi në mendje teksa u publikuan shifrat e pjesëmarrjes së deputetëve në mbledhjen e thirrur nga Enkelejd Alibeaj në selinë e PD- së. Nga Grupi Parlamentar, morën pjesë vetëm 22 deputetë, ndërsa më herët, me 30 prill 2022, 17 deputetë u rreshtuan në krah të Berishës në Kuvendin Kombëtar. Mbeten edhe 16 deputetë të tjerë, të cilët mund të konsiderohen “rruga e tretë” ose as me Berishën e as me Bashën.
Çdo individ, qoftë edhe deputet, ka të drejtën sovrane të zgjedhjes së pozicionimit publiko- politik. Nuk është aspak çudi, sepse edhe ka ndodhur, të futesh në Kuvend si përfaqësues i një X partie dhe të kalosh brenda një mandati tek një Y parti.
Brenda grupit parlamentar të PD- së, janë krijuar 3 fraksione dhe asnjë shumicë e qartë. Qoftë për vendimmarrje legale apo edhe për morale në sytë e demokratëve apo shqiptarëve. Ngjan deri diku paradoksale, teksa brenda PD- së ka një përballje dyshe në mes Berishës dhe përkrahësve të ish- kryetarit Basha. Ky i fundit ka dhënë dorëheqje publikisht por të paktën 16 deputetë mendojnë se ai vazhdon të mbetet pas imazhit të Alibeajt dhe Bardhit. Nuk ka si shpjegohet ndryshe “rruga e tretë” e tyre.
Deri tani, nga këto 3 fraksione, vetëm dy janë provuar deri diku me votë. Berisha nga 11 dhjetor 2021 deri me 30 prill 2022, nuk rresht të provuari se ka mbështetje të plotë të bazës demokrate. Madje, deri në këto momente, gjykatat shqiptare e konsiderojnë Komisionin e Rithemelimit të PD- së legjitim, edhe pse duhet të shprehet gjykata e apelit pas ankimimit të Alibeajt.
Sipas perceptimit të tyre, edhe fraksioni “Basha” ka treguar mbështetje me numra. Përtej “5004 delegatë nuk mund të ulen në 1958 karrige”, edhe Basha të paktën me 18 dhjetor, ka treguar se ka mbështetje. I vetmi që është në “hava” është pikërisht fraksioni i tretë, i kristalizuar ditën e djeshme.
A mund ti sjellë ndonjë gjë pozitive Partisë Demokratike? Çdo gjë nis dhe duhet të nisë nga idetë. Nëse ata 16 deputetë janë të bindur dhe nuk janë thjesht në “stand by” për një vendim të pritshëm gjykate, ata duhet të paraqesin ide, platforma. Jo vetëm në grupin parlamentar por edhe në bazën e antarësisë demokrate. Aty mund të konstatohet nëse kjo “rrugë e tretë” ka përkrahje, minimalisht për të shfrytëzuar të drejtën për fraksion që e jep statuti i PD- së. Bazuar në shifrat në grupin apralamentar, asnjë fraksion nuk mund të ketë kryesimin. Ndryshe nga dy fraksionet e tjera, “rruga e tretë” nuk ka synim as marrjen e drejtimit të PD- së, duke nxjerrë ndonjë kandidat për kryetar.
Në këto kushte, përpjekja e “rrugës së tretë” nuk mund të prodhojë asgjë konkrete, pozitive për PD- në. As edhe presioni pa alternativë ndaj dy “rrugëve” të tjera, nuk sjell asgjë pozitive. Nëse nuk janë në pritje të një vendimi të formës së prerë të gjykatave, ky grup duhet të pozicionohet sa më shpejt në njërin apo tjetrin krah. Sot PD ka vetëm një zgjedhje, bazuar në vullnetin e antarësisë: Sali Berishën! Edhe nëse pozicionohesh si anti- Berishë, je pakicë, thjeshtë krijon një fraksion. Asgjë më shumë! /Nga Blerti DELIJA/