Lajmi për kalimin e pritshëm në pronësi dhe administrim të qeverisjes qendrore i ndërmarrjeve të ujësjellës- kanalizime, aktualisht nën pronësinë e administrimin e 61 bashkive, nuk është i vetmi i çuditshëm. Pas disa kohëve, qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të marrë përsipër sigurimin përmes tenderimit të të gjitha materialeve, elementëve të nevojshëm për ndërhyrjet infrastrukturore në qeverisjen vendore.
E para gjë që të shkon në mendje, është pranimi publik i dështimit të të ashtëquajturës reformë administrative- territoriale e vitit 2015. Deshtim spektakolar, i shoqëruar edhe me pasoja sociale e sidomos financiare. Ish- komunat e ish- bashkitë që iu bashkëngjiten 61 bashkive ekzistuese, sollën “në pajë” edhe borxhe. Një pjesë janë paguar e të tjera presin të paguhen nga buxhetet e lodhura të shumicës dërrmuese të bashkive në vend.
Dështimi tjetër i dukshëm, është ai që lidhet me decentralizimin apo kalimin e kompetencave nga qeverisja qendrore në atë vendore. Në 7 vitet e implementimit të kësaj reforme, jo vetëm nuk u kalua asgjë në pronësi e administrimin të vetëqeverisjes vendore (me përjashtim të telasheve që qeveria iu hoqi vetes duke ia faturuar bashkive, të pashoqëruara me mbështetje financiare të nevojshme në disa raste), po u cungua ndjeshëm autonomia, rrjedhimisht edhe pjesa fianciare. Rastet më të fundit, aty të cituata në rreshtat e parë të këtij shkrimi.
“Uji është jeta”, është slogani i njohur që lidhet me elementin kryesor të ekzistencës së çdo frymori. Sigurisht që qeveria e di këtë dhe me logjikë, një sherbim i tillë, qoftë edhe me humbje financiare, nuk mund ti mohohet askujt. Flitet për humbje, për borxhe financiare të 61 ujësjellës- kanalizimeve në vend. Nuk e di si është saktësisht situata, por më thoni një kompani shtetërore por edhe private, që nuk është e shembur në borxhe. Madje, pa ofruar një sherbim jetik siç është uji i pijshëm.
Qeveria flet për mirëmenaxhim, mirëadministrim të 61 ujësjellës- kanalizimeve, të cilët do të jenë rajonal dhe vetëm 15. Më thoni, në cilin sektor, jo vetëm kjo qeveri por të gjitha qeveritë kanë patur sukses të vijueshëm në administrimin e publikes?! Asnjë! Atëherë, pse po kalohen ndërmarrjet UK në administrim e pronësi të qeverisë Qendrore?
Sepse nuk ka asnjë problem nëse qeveria ka, merr dhe do të marrë borxhe të reja, qoftë edhe për ristrukturimin e 15 UK- ve. Sepse qeveria nuk e ka problem që me kalimin e pritshëm në pronësi të saj të UK- ve, ti zerojë të gjitha borxhet e akumuluara, pjesa më e madhe me KESH apo OSHEE për furnizimin me energji elektrike. Sepse qeveria e këtij vendi, nuk e ka aspak problem të reduktojë numrin e punëtorëve 320 mijë lekësh dhe ti zëvendësojë me drejtues, drejtorë e antarë bordi me rroga milionëshe. Aq më shumë, kur 15 ndërmarrjet UK, mund të sherbejnë për qoka sepse po afrojnë zgjedhjet e ardhshme vendore. Sepse qeveria do të gjejë dhe kontraktojë “specialistë” të spikatur nga brenda e jashtë vendit për administrimin e “suksesshëm” të UK- ve… Apo jo?!
Qeverisë nuk i intereson aq shumë furnizimi cilësor dhe i vazhdueshëm me ujë të pijshëm. Ishte ndër premtimet e bujshme të fushatës së vitit 2013 dhe tash në vitin e parë të pandatit të tretë, akoma diskutohet për ujin e pijshëm. Qeveria nuk e ka problem borxhin e akumuluar nga UK- të teksa ai i madhi, ka kaluar mbi 106% e firifiu. Qeverisë nuk i intereson performaca që do të kenë UK- të nën administrimin e Ballukes. Është e qartë që sot se do të jetë i suksesshëm. Si do ta konstatojmë këtë? Përmes mediave, atyre tradicionale dhe të reja, të cilat siç është e kristaltë tashmë, kanë vetëm hosana për qeverisjen aktuale.
Në fakt, të paktën në rastin e Shkodrës, ka vetëm një dilemë. Dilemë që na ka shoqëruar nga vitit 2013 e këtej. Ku do të vendoset qendra e drejtorisë rajonale të radhës që do të krijohet? Pra, ndërmarrja UK rajonale, ku do ta keqë qendrën e saj? Në Shkodë jo njëherë! Nëse bashkohet me ne Lezha, e sigurtë se qendra do të jetë atje. Në të kundërt, me gjasë do të vendoset në Koplik ose në Pukë. Sepse Fushë Arrëzi është pak si larg…
Në fund, një kujtesë- thirrje për deputetët e Shkodrës, fillimisht ata të pestë që përfaqësojnë qeverisjen qendrore (3 PS+ 2 PSD) dhe më pas ata të gjashtët e opozitës (5 PD+ 1 LSI): Askush nuk rrezikon të vdesë nëse flet ndonjëherë edhe për tema të tilla në komisione apo foltore parlamentare. Askush nuk rrezikon lirinë nëse denoncon këtë qokë të radhës të qeverisë qendrore në dëm të asaj vendore. Asnjë deputet nuk humb asgjë nëse vihet në krye të organizimeve, protestave, në mbrojtje të interesave të zgjedhësve të vet. Në prag të zgjedhjeve të 2023- it për bashkitë, kjo është një tjetër lëvizje që rrit mundësitë e qeverisjes aktuale të fitojë më thellë në garën vendore. Edhe në Shkodër e mos u çudisni nëse ndodh… /Nga Blerti DELIJA/